×
  • Lajme
  • Lajme

    Avokati i deputetit Todosijeviq kërkon të pushojë çështja: Ai ka imunitet

    Reporteri
    24 Qershor 2021 | 11:31

    Avokati i të akuzuarit Ivan Todosijeviq, deputet në Kuvendin e Kosovës nga Lista Serbe, Nebojsha Vlajiq, ka thënë në seancën e sotme që është duke u mbajtur, se çështja ndaj klientit të tij nuk mund të vazhdojë, pasi ka imunitet/


    Këtë deklarim ai e ka thënë në seancën ku po shqyrtohen ankesat e palëve lidhur me dënimin e Todosijeviqit me 2 vite burgim nga shkalla e parë, pasi ishte shpallur fajtor për deklaratat që i kishe bërë në lidhje me shqiptarët dhe masakrën e Reçakut, njofton Betimi për Drejtësi të enjten.

    Pasi u konstatua mungesa e të akuzuarit Todosijeviq në seancë, avokati i tij tha se me këtë rast nuk mund të vazhdohet tutje për shkak të pengesave procedurale.

    Lidhur me këtë, kryetari i kolegjit, gjyqtari Burim Ademi tha se çështja penale duhet të trajtohet dhe seanca duhet të mbahet, ngase imuniteti mund të jetë një rrethanë që mund të reflektojë si pengesë në ndjekjen penale, e për të cilën çështje tha se gjykata ka bazat ligjore kur konstaton pengesë në ndjekje penale.

    “Ky kolegj rikujton po ashtu se ekziston një vendim i Gjykatës Kushtetuese mbi të cilën ka trajtuar imunitetin e deputetëve dhe tashmë ai vendim ka krijuar standardin kushtetues, andaj gjykata me rastin e vendosjes së kësaj çështje do të ketë parasysh të gjitha pretendimet e mbrojtjes, rrethanat dhe standardet kushtetuese.”, deklaroi gjykatësi Ademi.

    Pas kësaj, avokati Nebojsha Vlajiq tha se nuk mund të ndalojë të mbahet seanca, nëse konsiderohet se duhet mbajtur.

    “Nuk du të marr pjesë në këtë seancë, do të kaloj në publik.”, deklaroi tutje avokati.

    “Po ju paralajmëroj se seanca nuk mund të lëshohet pa lejen e kolegjit, përndryshe pasojat i mbani. Mund të kërkoni leje të largoheni, po jo të largoheni.”, iu drejtua gjykatësi Ademi avokatit Vlajiq.

    “S’do të largohem, nuk du asnjë dënim, du me marr pjesë.”, u përgjigj avokati.

    Todosijeviq ishte dënuar nga shkalla e parë më 5 dhjetor 2019, për veprën penale “nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

    Ai ka qenë ministër i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), në Qeverinë e Kosovës, nga radhët e Listës Serbe, e cila ishte në bashkëqeverisje me PDK-në, AAK-në, Nismën Socialdemokrate dhe AKR-në.

    Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, në prill të vitit 2019, e kishte shkarkuar atë nga kjo pozitë, pas deklaratës që kishte dhënë lidhur me masakrën e Reçakut.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 28 qershor 2019, i pandehuri në cilësinë e ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal, duke keqpërdorur pozitën apo autorizimin e tij, me dashje, ka nxituar dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarja dhe mos durim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikës e Kosovës. \ Betimi për Drejtësi

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!