Avokati i familjes së Liridona Ademajt, Leutrim Syla, ka reaguar pas vendimit të gjykatës për t’iu përgjigjur kërkesës së mbrojtjes për ekzaminimin psikiatrik të Naim Murselit, të dyshuarit kryesor për vrasjen e Liridonës.
Syla e ka quajtur këtë veprim si një keqpërdorim të procedurës ligjore me qëllim zvarritjen e rastit apo tentim për ta shfajësuar të akuzuarin.
“Aprovimi i kërkesës së mbrojtjes nga ana e gjykatës është një hap procedural, i cili nuk konsiderojmë që është ndërmarrë në kundërshtim me ligjin. Megjithatë, mendojmë se ky është një keqpërdorim procedural për të zvarritur apo për të bishtnuar procedurën penale – diçka që ndodh zakonisht kur mbrojtja përpiqet ta shfajësojë të pandehurin apo të përdorë institucionet shëndetësore për të ndikuar në uljen e dënimit”, ka deklaruar Syla në Dukagjini.
Ai ka shtuar se në raste të ngjashme, ekzaminimet psikiatrike janë përdorur edhe për të tentuar arratisjen e të akuzuarve.
“Ka shumë raste kur këto procedura janë keqpërdorur, por zakonisht pas ekzaminimeve psikiatrike konstatohet se i akuzuari nuk ka ndonjë çrregullim mendor. Në rastin konkret, duke qenë se Naim Murseli përballet me mundësinë e një dënimi me burgim të përjetshëm, kjo është ndoshta përpjekja e tij e fundit për të shfrytëzuar çdo mekanizëm ligjor për të lehtësuar pozitën e tij apo për të marrë një dënim më të ulët”, ka përfunduar avokati Syla.