×
  • Lajme
  • Lajme / Flet Artan Qerkini

    Avokati i Pal Lekajt: Në rigykim do të shpallet i pafajshëm

    Reporteri
    27 Shkurt 2025 | 16:04

    Gjykata e Apelit e ka kthyer sot në rigjykim rastin ndaj ish-Ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, lidhur me rastin e njohur si “53 milionëshi”, duke e anuluar kështu vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës që e kishte dënuar me 3 vite e 8 muaj burgim efektiv. 

    Në një prononcim për Gazetën Online Reporteri.net, avokati i tij, Artan Qerkini, e ka cilësuar si të drejtë këtë vendim teksa është shprehur i bindur se në rigjykim Lekaj do të shpallet i pafajshëm.

    “Po, është kthy në rigjykim, sapo e kuptuam një fakt të tillë. Vendimin e Gjykatës së Apelit e konsideroj të drejtë sepse pretendimet ankimore kanë konsistuar në vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, zbatimin e gabuar të ligjit e po ashtu shkelje procedurale, të cilat besojmë se do të evitohen në rigjykim dhe pas një procedure të drejtë ku do të respektohet standardi i gjykimit të drejtë z.Pal Lekaj do të shpallet i pafajshëm”, ka thënë Qerkini.

    I pyetur nëse ky dënimi nga shkalla e parë ka ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit, ashtu që Lekaj mbeti jashtë Kuvendit, Qerkini ka sugjeruar që për këtë të pyetet vetë Lekaj.

    “Sa i përket zgjedhjeve, e pyesni z.Pal Lekaj, se ai ka qenë i involvum edhe ka dalë në terren, edhe ai e ka pa prej dorës së parë sa kjo ka ndiku në moszgjedhjen e tij dhe mosmarrjen e votave”, ka thënë Qerkini.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare me rastin e ndarjes së 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel &Enka”, për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit apo e njohur ndryshe si autostrada “Arbën Xhaferi”.

    Për këtë akuzë, sipas aktgjykimit të shpallur më 31 janar 2024 nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Pal Lekaj ishte dënuar me 3 vite e 8 muaj burgim efektiv. Ndaj tij, gjykata shpalli edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj.

    Nebih Shatri u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim, kurse Besim Tahiri u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim. Ndaj tyre u shpall edhe dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 vitesh. Ndërsa, Eset Berisha u dënua me 3 vite e 3 muaj burgim.

    Po ashtu, ndaj Berishës ishte shpallur edhe dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vitesh.

     

    Apeli e kthen në rigjykim rastin ndaj Pal Lekajt për “53 milionëshin”

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!