×
  • Lajme
  • Lajme / Operacioni nga ZPS-ja

    Avokati Qerkini thotë se shtëpia e Selimit u bastis nën dyshimet për prova që lidhen me pengimin në drejtësi

    Reporteri
    07 Mars 2024 | 12:02

    Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë sot kreu operacione në Kosovë. Shtëpia e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi u bastis, konfirmoi për gazetën online Reporteri.net zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializua, Christopher Bennett. 

    Avokati i Selimit, Artan Qerkini ka konfirmuar bastisjen në shtëpinë e Selimit.

    Qerkini ka thënë para mediave se Selimi nuk e ka statusin e personit të dyshuar, por se bastisja është kryer meqë mendohet se në shtëpinë e tij mund të ketë pasur prova që ndërlidhen me procedimet penale për pengim të drejtësisë.

    “Me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake është bastisur shtëpia e z.Sylejman Selimi. Fillimisht vlen të theksohet se ai nuk e ka statusin e personit të dyshuar, por sipas urdhërit të gjykatës mendohet se në shtëpinë e tij mund të ketë pas prova që ndërlidhen me procedimet penale për pengim të drejtësisë”, tha Qerkini para gazetarëve.

    Specialja konfirmon për Reporteri bastisjet e zhvilluara në Prishtinë

    Qerkini pati vërejtje lidhur me urdhrin për bastisje.

    “Ne i kemi disa vërejtje në vet urdhërin. Mendojmë se nuk është lëshuar në përputhje me dispozitat ligjore e për më shumë i cenon edhe disa të drejta kushtetuese të personave sepse nuk mund të cenohet privatësia e një personi me urdhër të gjykatës nëse ai nuk e ka statusin e personit të dyshuar”, tha Qerkini.

    Në Gjykatën Speciale aktualisht janë duke u zhvilluar disa gjykime ndaj ish-eprorëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Deri më tani, gjykata ka dënuar ish-eprorin e UÇK-së, Salih Mustafa me 22 vjet burgim për krime lufte si dhe janë shqiptuar dënime për pengimin e drejtësisë për dy ish-figura të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj./Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!