×
  • Lajme
  • Lajme / Rasti Klan Kosova

    Avokatja amerikane reagon ashpër: Hej Kosovë, çfarë dreqin po ndodhë? Liria e mediave është thelbësore

    Reporteri
    29 Korrik 2023 | 22:56

    Avokatja amerikane nga Nju Jorku, Bernadette Foley, është shprehur e çuditur me vendimin e qeverisë për mbylljen e Klan Kosovës.

    Në një postim në Twitter, avokatja Foley e cila ka punuar në sundim të ligjit për një kohë edhe në Kosovë, ka shtruar disa pyetje me atë se çfarë po ndodhë me Kosovën.

    “Çfarë dreqin? Hej, Kosovë? Çfarë po ndodhë? Liria e shtypit është thelbësore. Asociacioni i Mediave të Kosovës, BE-ja dhe ShBA-ja – të gjitha kritikojnë një veprim të dukshëm për të mbyllur një stacion të njohur televiziv të Kosovës”, shkroi Foley.

    Bernadette Foley ka punuar katër vjet (2004-2009) në Kosovë në kuadër të UNMIK-ut, si Zyrtare Ligjore, Inspektore Gjyqësore dhe Eksperte Trajnuese.

    Komuniteti i gazetarëve në Kosovë ka paralajmëruar protestë për të hënën, në shenjë revolte për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosova nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka informuar se Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve ka marrë dje vendim për refuzimin e ankesës së Shoqërisë Tregtare “Klan Kosova sh.p.k.”.

    MINT ka potencuar se vendimi i komisionit e përmbyll këtë rast brenda ministrisë, ndërsa pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente.

    Vendimi i Komisionit, siç është bërë e ditur në komunikatë, ka konstatuar se ARBK-ja, në shkallën e parë ka vendosur në përputhje me ligjin kur e ka pezulluar certifikatën e biznesit të Klan Kosovës.

    Rreth këtij rasti ka pasur reagime të shumta.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!