×
  • Lajme
  • Lajme

    Vjedhja e 2 milionëve nga Thesari i Shtetit përplasë ish-ministren Bajrami me Vetëvendosjen: Gjeni dhe dënoni përgjegjësit, e keni Qeverinë

    Reporteri
    26 Prill 2021 | 22:32

    Hykmete Bajrami, më 21 tetor të vitit 2020 sa ishte ministre e Financave, përmes një konference për medie njoftoi opinionin për një vjedhje jo të zakonshme, duke thënë se Thesarit të Shtetit i ishin “avulluar”, më tepër se 2 milionë euro.


    Pa dhënë shumë detaje, ministrja pati treguar se bëhej fjalë për 4 transaksione të dyshimta nga thesari, me vlerë rreth 2.1 milionë eurove që ishin transferuar tek një operator ekonomik. Lidhur me këtë çështje, deri më tani janë arrestuar dy persona dhe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit.

    Bëhet fjalë për Labinot Grudën, zyrtari në Ministrinë e Financave si dhe Kadri Shalën përfaqësues ligjor në Kompaninë LDA Group SH.P.K, kompania në të cilën janë transferuar paratë nga thesari.

    Ky superskandal u “prek” për një moment edhe në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës në momentin kur në foltore të Kuvendit po fliste deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, pra ish-ministrja e Financave.

    Kjo e fundit derisa kritikonte ndër të tjera ministrin e Financave, Hekuran Murati për publikimin e vetëm të 50 bizneseve që kanë përfituar gjatë Qeverisë Hoti, nga deputetë të Vetëvendosjes ju përmend vjedhja e 2 milionëshit nga Thesari i Shtetit.

    Disa deputetë të VV-së ndërsa deputetja Bajrami fliste i kërkonin llogari për superskandalin e 2 milionëshit, shkruan Reporteri.net.

    I menjëhershëm ishte reagimi i deputetes Bajrami, e cila tha se qeveria Kurti t’i gjejë përgjegjësit për vjedhjen në Thesar të Shtetit pasi tani është në pushtet.

    “Secili që është përgjegjës gjeni dhe dënojeni, e keni qeverinë”, ju drejtua Bajrami, deputetëve të VV-së, shkruan Reporteri.net.

    Gjykata Themelore në Prishtinë u ka vazhduar edhe për dy muaj masën e paraburgimit Kadri Shalës dhe Labinot Grudës, të dyshuar për vjedhjen e 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

    Këtë e ka konfirmuar ditë më parë zëdhënësja e Gjykatës Themelore, Mirlinda Gashi.

    Kujtojmë se Prokuroria Speciale e Kosovës në shkurt të këtij viti kishte njoftuar se lidhur me këtë rast ka bllokuar 34 llogari bankare dhe janë bllokuar 600 mijë euro si dhe janë sekuestruar 4 vetura.

    “Ju njoftojmë se janë ngrirë 34 llogari bankare, të bizneseve në të cilat janë transferuar të hollat nga i pandehuri K. SH, pronar i (LDA Group). Vlen të theksohet se deri më tani shuma e përgjithshme e ngrirë është rreth 600,000 euro, janë sekuestruar 4 automjete vlera e përafërt e të cilave është 100,000 euro”, kishte bërë të ditur Prokuroria përmes një njoftimi. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!