×
  • Lajme
  • Lajme / Votat me postë

    Bajrami flet për komunikimet e brendshme të LDK’së: S’kam pasur fakte që ka pasur skema të tilla, ju betohem që menjëherë do e kisha denoncuar

    Reporteri
    09 Prill 2025 | 23:58

    Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka folur lidhur me komunikimet e brendshme të Kryesisë së LDK’së, që i publikoi Gazeta Online Reporteri.net, ku flitej për “skemë të organizuar kriminale” lidhur me votat e mërgatës me postë.

    Bajrami tha se ajo s’ka pasur fakte për skema të tilla, sepse nëse do të kishte do ta denonconte.

    Ajo tha se janë unik si parti dhe se s’ka grupe.

    “Me sa e di unë, landa është duke u hetuar. Unë nuk kam pasur fakte të tilla që ka pasur skema të tilla, përndryshe ju betohem që nëse kisha pasur diçka të tilla, menjëherë e kisha denoncuar. Nuk jam deklaruar sa i përket postimit ose deklaratës së z.Hoti sepse kam konsideruar që s’i bëj nder LDK’së”, ka deklaruar Bajrami në T7.

    Bajrami bëri thirrje që të ketë hetime deri në fund.

    “E para, unë kam thënë një ditë para mbledhjes së kryesisë që le të rinumërohen votat, të hetohen. Kam bërë thirrje Prokurorisë që ta hetojë secilin rast dhe kam ba thirrje që kushdo që ka prekur votën dhe vullnetin e qytetareve duhet të dënohet sipas ligjit, e kam bë dhe kjo është publike…Qëndrojmë prapa një gjejë të tillë për dallim nga partitë e tjera që iu thirreshin institucioneve të drejtësisë vetëm kur gishtat janë të drejtuara kah oponentët politikë. Ne edhe në qoftëse ka gjëra të tilla brenda nesh ne iu bëjmë thirrje organeve të drejtësisë që ato të hetohen deri argumentin dhe faktin e fundit”, ka thënë Bajrami.

    Ndryshe, Reporteri.net kishte publikuar një seri të bisedave mes anëtarëve të Kryesisë së kësaj partie në grupin në Whatsapp dhe Viber.

    Një prej tyre ishte përplasja në “Viber” mes Kujtim Shalës dhe Arben Gashit. Ish-shefi i grupit parlamentar të LDK-së po këmbëngulte se ka pasur vjedhje të votave brenda LDK-së dhe insistonte që skemës, që sipas tij u orkestrua nga disa bashkëpartiakë, t’i vihet emri “skemë e organizuar kriminale”.

    “Faktet po ulërasin o Kujtim. Ti duhet me u pajtu me shqetësimin, për krimin qe ka ndodhë”, shkruante Arben Gashi në grupin në “Viber” të kryesisë qendrore të LDK-së.

    “Asnjë manipulim nuk është i tolerueshëm”, i përgjigjej Kujtim Shala. “Për të gjitha”, vazhdonte numri 2 i listës zgjedhore të LDK-së.

    “Kujtim, qitja emrin, nuk është manipulim, është skemë e organizuar kriminale. Pa e identifiku sakt problemin nuk mundemi me e shpëtu partinë”, insistonte Arben Gashi në mesazhin në grupin në “Viber” të kryesisë së LDK-së.

     

    “Kujtë qitja emrin… skemë e organizuar kriminale” – përplasja në “Viber” mes Shalës e Gashit për votat e diasporës

     

    Reporteri.net e kishte publikuar edhe mesazhin që kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku ia kishte dërguar Avdullah Hotit në Viber, si kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë për shqetësimet që i kishte ngritur ish-kryeministri në të njëjtën bisedë të brendshme për votat e mërgatës.

    Abdixhiku e niste këtë mesazh me “Përshëndetje Avdullah”. Aty Abdixhiku thotë se është i brengosur vetëm për votat e partisë.

    Për kryetarin e LDK-së akuzat për vjedhje të votave brenda listës zgjedhore të partisë dhe insistimi në “strukturë të organizuar kriminale” nuk ishin brengë. Sipas tij s’do të duhej të ishin as për bashkëpartiakët e tij. I quante “luks momental”, që s’habitej që disa i kishin.

    “Jam i interesuar që LDK të fitojë mandatin e 21-të. Këto çështjet tjera janë luks momental të cilën dhe nuk habitem që e keni. Sikur të ishim të gjithë të brengosur për këtë gjë, i kishim pas punët shumë më mirë”, shkruante Abdixhiku në “Viber”, derisa i përgjigjej vetëm shqetësimeve të Avdullah Hotit, i cili pajtohej me kërkesën e anëtarëve tjerë të kryesisë së LDK-së që kërkonin që situatës t’i vihej emri: “skemë e organizuar kriminale”.

    “Skemë kriminale”, gjendjen me votat me postë brenda listës zgjedhore të LDK-së e kishte emërtuar edhe anëtari tjetër i kryesisë Shkëmb Manaj. Një mesazh të tij që akuzonte partinë për vjedhje të votave, të cilin Manaj e kishte dërguar në një nga grupet e brendshëm të komunikimit të Kryesisë së partisë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!