Deputeti i VV-së, Hekuran Murati përmes një postimi të bërë të enjten, lexoi se çka thotë Gjykata Kushtetuese për votimin për konstituim të Kuvendit, duke treguar si duhet të votojnë deputetë e Kuvendit për të formuar institucionet e reja, shkruan Reporteri.net.
Për këtë i ka reaguar deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami e cila ka thënë se Muratit i duhet ende kohë për t’i kuptuar bazat e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë që rregullojnë punën e Kuvendit.
Sipas saj, Murati shkel Kushtetutën duke mbajtur post ministri, në bazë të nenit 72 të Kushtetutës së Kosovës, ajo thotë se ai duhet ta dijë se deputeti nuk i nënshtrohet asnjë mandati detyrues kur voton apo jo, sipas nenit 70 pika 1.
“Deputeti Murati, që shkel Kushtetutën duke mbajtur post ministri, në kundërshtim me parimin e ndarjes së pushteteve, neni 72 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës👇, duhet ta dijë se deputeti nuk i nënshtrohet asnjë mandati detyrues kur voton apo jo. Kështu e thotë Kushtetuta, neni 70, pika 1 👇.
Këtë reagim e bëj për qytetarët e Republikës sepse është fyerje e inteligjencës e humbje kohe të diskutosh e debatosh për kushtetutshmëri me ata që kanë shkelur Kushtetutën me numra dyshifror, me ata që janë duke shkelur Kushtetutën teksa flasin e shkruajnë statusa duke mbajtur pozita ekzekutive e legjislative në të njëjtën kohë, me ata që shkelin Kushtetutën duke ua mohuar të drejtat mbi 90 mijë shërbyesve civilë”, ka shkruar Bajrami në Facebook.
/Reporteri.net/