×
  • Lajme
  • Lajme

    Bajrami: Koalicioni është stabil

    Reporteri
    14 Tetor 2020 | 18:24

    Ministrja e Financave e cila vjen nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se koalicioni qeverisës është stabil.


    “Në fakt dështimi i kalimit në lexim të parë të projektligjit për rimëkëmbje ekonomike nuk ishte një gjë e mirë, pasi që shumë nga deputetët ishin edhe të prekur me COVID edhe të angazhuar jashtë shtetit. Megjithatë, koalicioni është stabil”, ka deklaruar Bajrami në Frontal në T7.

    Bajrami ka folur për Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike, për të cilën ka treguar se punëtorët nuk ndihmohen direkt, por përmes kompanive ku janë të punësuar.

    “Ne i mbështesim të gjitha bizneset që deklarojnë tatim. Ne iu besojmë sektorit privat. Përmes ndihmës së sektorit privat, ne besojmë thellë që do t’i ndihmojmë punëtorët. Ne me ndihmën që iu kemi dhënë, ne nuk i ndihmojmë direkt punëtorët, por që ndihmën e japim përmes kompanive ku ata janë të punësuar”, ka thënë Bajrami.

    Bajrami ka thënë se po shqyrtohet numri i punëtorëve që kanë humbur punën për shkak të pandemisë.

    “Ne tani jemi duke shqyrtuar se sa është numri i atyre se sa janë ata që i kanë humbur vendet e punës. Kemi 4700 punëtorë më shumë se sa që kemi pasur vitin e kaluar. Kompanitë e sigurimit fizik, do të jenë gjithashtu përfitues të subvencioneve. Nga 290 ankesa që kanë qenë të përmbushura nga komisioni i ankesave, vetëm 5% e tyre, kanë marr përgjigje pozitive”, ka thënë Bajrami.

    Ndërkohë Bajrami ka thënë se nuk ka një vendim të ri që të ndihmohen me para shtesë mjekët dhe policët.

    “Ne kemi pasur një vendim të Qeverisë, që t’i japim shtesa Policisë së Kosovës për 3 muaj. Momentalisht, nuk kemi një vendim të ri. Gjithashtu është paguar edhe puna e tyre jashtë orarit të punës. Ndërkohë, edhe sa i përket mjekëve nuk kemi ndonjë vendim të ri”, ka thënë Bajrami.

    Ministrja e Financave tha se nuk beson se do të ketë ulje të pagave në sektorin publik.

    “Institucionet publike deri më tani kanë punuar me staf esencial, që i bie rreth 20% e stafit. Ndërkohë, ka kërkesa nga organizatat botërore që t’i shtojmë numrat në sektorin publik, por nuk qëndrojmë mirë me buxhetin momentalisht, andaj është një problem kjo çështje. Në qoftë se nuk vije deri në një mbyllje totale, unë besoj që nuk do të kemi një ulje të pagave në sektorin publik”, ka deklaruar Bajrami.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!