Deputetja e Lidhjes Demokratik të Kosovës, Hykmete Bajrami i ka reaguar Ministrit të Financave, Hekuran Murati i cili tha se në këto katër vite qeverisje ka pasur dyfishim të të hyrave tatimore, pasi kanë luftuar kontrabandën, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Deputetja Bajrami ka thënë se Ministri Murati inflacionin po e paraqet si luftë kundër kontrabandës, ndërsa e ka quajtur manipulues.
“PRA, ministri i financave, ekonomisti i cili kursimet personale i investon në bursa ndërkombëtare, INFLACIONIN në qeverinë e tij po e paraqet si luftë kundër kontrabandës. Ku kemi rënë, një shoqni janë tu e trajtu si analfabetë. Sot manipuluesi me i madh i Qeverisë paska folë për luftën kundër kontrabandës”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka thënë se Ministri për katër vjet s’ka qenë në gjendje me e zgjedh një drejtor në ATK, dhe se sipas saj ai qe dy vjet po e mban jashtëligjshëm pa mandat në ATIK drejtorin e zgjedhur nga qeveria e PAN-it.
“Kush po folë, Hekurani, ministri i cili për katër vjet s’ka qënë në gjendje me e zgjedhë një drejtor kredibil të Adminstratës Tatimore të Kosovës, ATK. Ministri i cili që dy vite e gjysmë e mban jashligjshëm pa mandat në ATK drejtorin e zgjedhur nga Qeveria e PAN-it”, shkruan Bajrami në Facebook.
Sipas deputetes së LDK-së, “përballë supozimeve dhe manipulimeve të Hekuranit ka një të vërtëtë, ajo e vërtëtë burimin e ka në Agjencinë e Statistikave të Kosovës: më vlera absolute kur Hekurani ka shku në zyre deficit tregtar ka qënë 2.8 miliardë Euro, sot deficiti tregtar është mbi 5 miliardë euro”, ndërsa ka publikuar edhe një grafikë.
Ministri i Financave, në postimin e tij të bërë sot në Facebook, tha se pushtetet e kaluara kanë vjedhur nga buxheti i shtetit.
Sipas tij, malli që ka hyrë kontrabandë në vitin 2015 ka qenë 827 milionë euro, ndërsa ka publikuar edhe një grafikon lidhur me të dhënat, ato që janë deklaruar, teksa ka shtuar se gjasat janë që importi ka qenë më i lartë se sa ishte deklaruar 2.63 miliardë euro.
/Reporteri.net/