Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj politikave ekonomike të Qeverisë, duke e akuzuar kryeministrin Albin Kurti për, siç thotë ajo, dëmtim të bizneseve dhe rrezikim të mirëqenies së qytetarëve.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka kritikuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), i cili sipas saj pritet të rrisë çmimin e energjisë elektrike deri në 260% për punëdhënësit e mëdhenj nga 1 qershori.
“Albin Kurti me politikat e tij po i detyron punëdhënësit e 143 mijë punëtorëve të dalin në rrugë,” ka shkruar ajo.
Bajrami ka theksuar disa zhvillime që sipas saj dëshmojnë për një krizë serioze ekonomike në vend, përfshirë:
Dy vite nën sanksione nga Bashkimi Evropian;
Rekord historik të deficitit tregtar që nga paslufta;
100 mijë vende pune më pak, sipas të dhënave të vetë Qeverisë;
Mijëra kontrata njëburimore në sektorin publik;
Faturat e larta të energjisë që rrezikojnë mbylljen e qindra bizneseve prodhuese.
“Situata është e padurueshme dhe e papranueshme! Këta rrënues duhet të ndalen bashkë me mafinë energjetike që po rrënon vendin,” ka deklaruar ajo.
Bajrami kërkoi anulimin e menjëhershëm të vendimit të ZRRE-së dhe apeloi për auditim e hetim të të gjitha institucioneve dhe kompanive që operojnë në sektorin e energjisë, përfshirë ZRRE-në, KOSTT-in, KEK-un, Ministrinë e Ekonomisë dhe sektorin privat.