Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami i ka reaguar Glauk Konjufcës për “zbutjen” e ofendimeve që Kryeministri Kurti u kishte bërë ditën e zgjedhjeve, opozitës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net. Deputetja e LDK-së, e pyetur për “hajvanat”, tha se këto kanë qenë të papranueshme.
Rreth asaj se tani ka ndryshuar qasja e partisë në pushtet karshi opozitës, Bajrami thotë se kjo ndodhi pasi kuptoi se s’i doli matematika për votat.
“Konjufca, i pyetur nga gazetarët për fjalët “hajvanë” dhe “hajvanat”, u justifikua se ishte “gjuhë fushate”. Tha: “Normal, qohesh një mëngjes, e sheh që s’i ke numrat, dhe e ndryshon qasje.”
Por Konjufca ”harroj” që termat “hajvan” dhe “hajvanat” janë përdorur pasi janë shpallur rezultatet preliminare, pra në dritën e numrave, edhepse këta terma janë të papranushëm kurdo që thuhen”.
“Qasjen, Albin Kurti e ka ndryshuar vetëm kur e kuptoi që nuk i del matematika pa votën e Adem Hoxhës, alias Listës Serbe. Hipokrizi në maksimum”, ka shkruar Bajrami në Facebook.
Konjufca sot në konferencë për media pas takimit me partitë politike, tha se politika “s’është as dashuri dhe as urrejtje” kur u pyet mbi gjuhën që partia e tij do të përdorë me partitë opozitare pas deklaratës së kryetarit Albin Kurti që i pati quajtur i opozitën “hajvanat”.
“Gjuhën që do ta përdorim do të jetë gjuhë e bashkëpunimit e partneritetit, ju mund t’i merrni me mend tensionet dhe polarizimet e mëdha që ndodhin gjatë fushatës, por në fund të fundit të gjithë zgjohemi një mëngjes dhe e shohim cili është rezultati i zgjedhjeve dhe e kuptojmë që politika nuk ndërtohet mbi urrejtjen dhe dashurinë. S’është as urrejtje as dashuri politika”, tha Konjufca pas takimit me partitë politike që pati sot në Kuvend.
Konjufca tha më pas se edhe ndaj tij ka pasë shprehje të rënda nga opozita, por tha se për këtë nuk mban ndonjë mëri.
“Shprehje kemi dëgjuar shumë të rënda nga ana e opozitës edhe për vetë mua në Kuvend. Mua më kanë quajtur me lloj-lloj shprehje që as s’dua t’i përmend këtu, por mua nuk më ka mbetur hatri prej atyre shprehjeve dhe ia zgjati dorën e bashkëpunimit secilit me të cilin që mund të bëjmë diçka bashkë për Kosovën”.
/Reproteri.net/