×
  • Lajme
  • Lajme / Liberalizimi i tregut

    Bajrami: Ta shënojmë 1 qershorin si ditë të mafisë energjetike, njerëzit e VV-së mbikëqyrin këtë treg

    Reporteri
    01 Qershor 2025 | 11:19

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar pas vendimit që sot hyri në fuqi për bizneset e mëdha që sot kaluan në tregun e hapur të energjisë, duke thënë se 1 qershor duhet shënuar si ditë e mafisë energjetike, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Bajrami thotë se mafia energjetike ka emrin e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila sipas saj ka vendosur njerëzit e vet në krye të institucioneve që prodhojnë energji.

    Ajo thotë se struktura e mafisë energjetike nisi qysh në ditët e para të VV-së në pushtet.

    “Përgjatë katër viteve të shkuara mafia energjetike për të cilën Albin Kurti fliste sa ishte në opozitë ka marrë formë. Ka emra dhe mbiemra, është Lëvizja Vetëvendosje në pushtet, e cila për katër vite nuk ka bërë asgjë tjetër përveçse ka vendosur njerëzit e vet në krye të institucioneve që prodhojnë energji, japin licenca e që janë të thirrura me mbikëqyrë tregun e energjisë”.

    “Struktura e mafisë energjetike nisi në ditët e para të qeverisjes së Vetëvendosjes”, shkruan ajo.

    Në postimin e saj, deputetja e LDK-së përmend këtu edhe ish-kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqin, që siç thotë Kurti e pati emëruar, por tani po përballet me akuza për korrupsion.

    Tutje ajo thotë se brenda 24 orëve Martin Berishaj ishte pajisur me pasaportë diplomatike dhe u pati emëruar ambasador, dhe se siç shkruan ajo i njëjti paguhej nga kompanitë energjetike, përfshirë këtu GEN-in.

    “Kurti e pati dërguar në KEK Nagip Krasniqin që ishte kryesues i Komitetit të Energjisë në Vetëvendosje. Nagipi tash po përballet me aktakuza për korrupsion.

    Pastaj, Martin Berishaj brenda 24 orëve u pajis me pasaportë diplomatike dhe u emërua ambasador. I njëjti paguhej nga kompanitë energjetike përfshirë GEN-in.
    Në gjithë këtë situatë, përmes faturave, EFT-ja e Vuk Hamoviçit përfiton miliona euro në kurriz të qytetarëve të Kosovës”, shkruan Bajrami.

    “Kjo nuk është rastësi, këtu nuk ka më hapësirë për mbulesë, sepse tashmë po e shohim të gjithë skemën e ndërtuar me qëllime të qarta, atë të pasurimit të disa individëve në kurriz të qytetarëve dhe të ekonomisë së vendit.
    Në media u raportua se vëllai i Kurti po merret diçka me çështje të energjisë në KEK, ani pse që shumë vite punon në KEK. Gjithashtu u raportua se një donator i LVV-së tashmë është zgjedhur drejtor i KEK-ut. Lajmi tjetër ishte se vëllai i shefit të kabinetit të Kurtit është duke e provuar fatin në energji. Për më tepër, i kemi parë të gjitha mesazhet në grupin e WhatsApp-it, ku vendoset për tenderët milionësh të KEK-ut, përkundër faktit se pohohej se ajo kompani nuk i plotëson kushtet”.

    Deputetja thotë se nëse krahasohen faturat me vitet e kaluara, Kosova kurrë s’ka importuar më shumë energji se në katër vitet e fundit. Në qeverisjen Kurti ajo thotë se ka shënuar rekord çmimi i rrymës.

    “Gjatë kësaj periudhe dolën në sipërfaqe kompani fantome të regjistruara gjatë qeverisjes së Kurtit. NOA tani është kompani me 2 punëtorë dhe me 160 milionë euro qarkullim vetëm në vitin 2024.

    “Çmimi i energjisë në qeverisjen e Kurtit ka shënuar rritje rekorde. Dhe, mbrëmë sërish u paralajmërua shtrenjtim i rrymës.

    “Shihni faturat, shiheni faturën e muajit maj dhe krahasone me majin e vitit 2024, 2023, 2022 dhe 2021. Kosova kurrë nuk ka importuar më shumë energji sesa në këto katër vitet e fundit”, shkruan Bajrami.

    “Sot, rreth 1300 ndërmarrje që punësojnë gjysmën e atyre që punojnë në sektorin privat dhe që gjenerojnë gjysmën e buxhetit të Kosovës, po dalin në një treg të hapur të energjisë i cili nuk ekziston, ndërsa fatura e energjisë po u trefishohet.

    “Për Qeverinë e kaluar të LVV-së këto janë vetëm 1% e kompanive (në fakt janë 1.54% nga gjithsej 84,500 ndërmarrje sa janë aktive në treg), por a po e kuptoni se qeveria po punon kundër këtyre 1300 kompanive për t’ia rregulluar tregun kompanive si NOA dhe për t’ia rritur nesër shanset në treg kompanisë së vëllait të Luan Dalipit.
    Hetim dhe auditim për të gjithë. Prokuroria të merret me mafien energjetike para se kjo të shkatërrojë çdo gjë që është ndërtuar për 25 vite”, shkruan ajo në Facebook.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!