Deputetja Hykmete Bajrami ka thënë se LDK-ja respekton të drejtën e partisë së parë për të propozuar Kryeparlamentarin, por kjo siç tha ajo nuk do të thotë që të bartin të drejtën e votës edhe te një subjekt tjetër, që të votohet sipas kërkesës së tyre, shkruan Reporteri.net.
Bajrami ka thënë se LDK-ja nuk bëhet pjesë e një mashtrimi politik që synon të mbajë vendin peng, dhe se sipas saj VV-ja me vetëdije po e bllokon konstituimin e Kuvendit.
“Refuzimi i tyre për të propozuar një kandidat tjetër, për të ndërtuar një konsensus minimal institucional, dhe për të respektuar nevojën për bashkëpunim politik, tregon qartë mungesën e vullnetit për t’i shërbyer vendit”, ka shkruar ajo mes tjerash.
Reagimi:
Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë dhe mbetet në favor të një zgjidhjeje të përgjegjshme që respekton Kushtetutën, demokracinë parlamentare dhe vullnetin e qytetarëve. Ne respektojmë të drejtën e të parit për të propozuar kryeparlamentarin, por kjo nuk do të thotë që ne bartin të drejtën e votës te një subjekt tjetër, duke votuar sipas kërkesës së tyre. Janë dy mënyra për të bërë shumcën në Kuvend: i merr votat nga qytetarët ose bën marrëveshje politike. LVV-së të parën nuk ia kanë dhënë qytetarët të dytën s’po e don, sepse s’ka bërë asnjë përpjekje për ta arritur atë, andaj përgjegjësia është mbi ata dhe duhet të kërkohet nga ata.
Lidhja Demokratike e Kosovës nuk bëhet pjesë e një mashtrimi politik që synon të mbajë vendin në peng për interesa të ngushta partiake.
LVV duke insistuar vetëm në një kandidatur për kryetare të Kuvendit dhe duke shpërfillë realitetin parlamentar po bllokon me vetëdije konstituimin e Kuvendit.
Refuzimi i tyre për të propozuar një kandidat tjetër, për të ndërtuar një konsensus minimal institucional, dhe për të respektuar nevojën për bashkëpunim politik, tregon qartë mungesën e vullnetit për t’i shërbyer vendit.
Kriza institucionale e shkaktuar nga LVV po dëmton ekonominë, po pengon zhvillimin, po thellon izolimin ndërkombëtar dhe po neglizhon secilin problem me të cilin sot përballen qytetarët.
Për çdo ditë që kalon pa institucione funksionale, fatura politike, ekonomike dhe sociale për qytetarët rritet.
Kosova meriton institucione funksionale, dialog politik dhe qeveri të përgjegjshme.