×
  • Lajme
  • Lajme / Dokument

    Banesë në lagje luksoze, dy vetura, e mbi 30 mijë euro kursime në bankë – kjo është pasuria e numrit dy në AKP

    Reporteri
    25 Prill 2025 | 17:00

    Zyrtarët publikë kanë bërë deklarimin e pasurisë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Një gjë të tillë e ka bërë edhe Burim Leci, zëvendësdrejtor i Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Pasuria e paluajtshme që ai ka deklaruar pranë këtij institucioni kap shifrën e 307 mijë e 770 eurove.

    Leci, i cili kishte marrë këtë post në maj të vitit të kaluar, ka deklaruar një shtëpi të blerë nga bashkëshortja në vlerë 140 mijë euro me 137m2, një muaj pasi vetë ishte rehatuar si zëvendësdrejtor në AKP.

    Numri dy i këtij institucioni ka deklaruar një banesë të tij me 119m2 me një shumë prej 125 mijë eurove e blerë në vitin 2020. Ndërsa si të “përbashkët” ai ka deklaruar një banesë tjetër 81m2 në vlerë 42 mijë 770 euro.

    Zëvendësdrejtori i AKP-së, ndaj të cilit Prokuroria Speciale kishte nisur hetimet në shtator të vitit 2024 po për këtë post nën dyshimet për kurdisje të konkursit pas një raportimi që kishte bërë Gazeta Online Reporteri.net, tani si pasuri të luajtshme ka deklaruar një veturë “Skoda” të blerë po në vitin 2024 në vlerë 21 mijë euro.

    Ndërsa ka dhe një veturë tjetër, po ashtu, “Skoda” të blerë në vitin 2014, vlera e së cilës kap shumën e 6 mijë eurove.

    Para të gatshme në llogari rrjedhëse, Leci i ka deklaruar 30 mijë nga kursimet dhe 3 mijë e 671 euro kursime tjera nga pagat e marra. Të bashkëshortes ai i ka deklaruar  22.60 euro kursime nga pagat dhe 3 mijë e 900 euro si “kredi”.

    Pasuria e Paluajtshme dhe Luajtshme e Burim Lecit
    Para të gatshme në llogari rrjedhëse

    Si detyrime financiare, Leci ka deklaruar një kredi të tij të marrë në vitin 2020 me kohëzgjatje 60 muaj, që i bie të përfundojë në vitin 2025, me një vlerë prej 125 mijë euro, e që aktualisht vlera e  mbetur është 15 mijë euro. Kredia u deklarua për blerjen e një banese, në ndërtim e sipër, në një nga lagjet luksoze të Prishtinës.

    Gjithashtu për blerje të shtëpisë, ai ka deklaruar një kredi të bashkëshortes në vlerë 140 mijë euro e cila nga të dhënat e APK, del se duhet të paguhet brenda tri viteve. Për këtë kredi të marrë në qershor të vitit 2024 për blerjen e shtëpisë, deri tani kur ende s’është bërë një vit, janë paguar 50 mijë euro, dhe vlera aktuale e mbetur, sipas deklarimit që Leci ka bërë në APK është 90 mijë euro.

    Poashtu, Leci ka deklaruar dhe një kredi personale të bashkëshortes në vlerë 11 mijë euro.

    Detyrimet financiare

    Krejt këto, kur të ardhurat vjetore të bashkëshortes, ai i ka deklaruar 5 mijë e 607 euro nga paga në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, 300 euro shtesa dhe kompenzime tjera, si dhe 400 euro për mëditje për udhëtim jashtë vendit (Estoni).

    Ndërsa të tijat, nga pagat nga pozita e zëvendësdrejtorit në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Leci i ka deklaruar 15 mijë e 161 euro dhe mëditje për udhëtim zyrtar jashtë vendit (Francë) ai ka deklaruar 184 euro.

     

    Të hyrat vjetore

    Burim Leci, në maj të vitit 2024 ishte zgjedhur në pozitën e numrit dy në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, atë të zëvendësdrejtorit.

    Në njoftimin që kishte bërë Agjencia Kosovare e Privatizimi më 27 marsi 2024, Burim Leci dhe Ibrahim Gjylderen kishin dalë kandidatë fitues, për t’u vendosur më pas nga Bordi i këtij institucioni se kush do të zotëronte pozitën në fjalë, e që rezultoi me Burim Lecin, ish-bashkëshpunëtorin dhe i afërt në raport me Luan Dalipin, Shef i Stafit të Kryeministrit, Albin Kurti.

    Sipas njoftimit që AKP-ja kishte bërë, Leci kishte marrë 81.82 pikë, ani pse në listën e ngushtë ai u radhit i treti nga shtatë të përzgjedhurit.

    Nën dyshimet për kurdisje të konkursit, Prokuroria Speciale, pas raportimit të Gazetës Online Reporteri.net pati nisur hetimet lidhur me rastin, duke i kërkuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit që në një afat të shkurtër kohor t’i dërgohen të dhëna për konkursin në fjalë.

    Atë kohë, nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit kishin thënë për Gazetën Online Reporteri.net se pozita si zëvendëdrejtori në Agjencinë Kosovare të Privatizimit mund të paraqiste konflikt interesi, pasi ai kishte edhe pozitën drejtor menaxhues të një kompanie e cila ka në pronësi një serë pompash të derivateve që menaxhohen nga AKP-ja.

    Leci në kohën kur kishte aplikuar për këtë pozitë në AKP, figuronte drejtor menaxhues i “IP-KOS SH.P.K.”, kompania që ka në pronësi pompat e derivateve “IP Petrol”, e që kanë në shfrytëzim një numër të pompave të derivateve që i menaxhon AKP-ja. Ndërsa tani tek deklarimi i pasurisë të bërë pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, një pozitë e tillë pune nuk figuron.

    Hulumtimi i Reporterit bëhet shkak, Prokuroria fillon hetim për konkursin ku bashkëpunëtori i Luan Dalipit u emërua zv/drejtor në AKP

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!