Banorët e Gorazhdecit duan t’i kthehen ndërtimit të një jete më të mirë

“Nëse e lëmë anash kontekstin politik, mendoj se duhet të bëjmë shumë për t’i nxitur njerëzit ta njohin njëri-tjetrin më mirë, ta mësojnë gjuhën e njëri-tjetrit dhe kështu të zhvillojnë një ndjenjë të vlerave të diversitetit kulturor-tradicional dhe në fund të jetojnë në të njëjtën hapësirë. Në Gorazhdec kjo u tregua se është e mundur,” thotë Darko Dimitrijević, kryeredaktor i Radio Gorazhdecit, radio lokale në gjuhën serbe në komunën e Pejës.


New Perspektiva (NP) kontaktoi Darko Dimitrijevićin dhe e pyeti për qëllimin dhe sfidat në punën e kësaj radioje, jetën e banorëve të fshatit si dhe për ndikimin e taksës 100% në jetën e këtij komuniteti.

NP: Sa mendoni se është i ndryshëm komuniteti serb në Kosovë dhe cilat janë karakteristikat kryesore të këtij diversiteti?

Dimitrijević: Mendoj se të gjitha komunitetet në Kosovë kanë ngjashmëri dhe dallime. Ngjashmëritë janë shumë të mëdha, por fatkeqësisht dallimet mes komuniteteve janë edhe më të mëdha kështu që kjo shpesh di të jetë shkak i shumë ngjarjeve të këqija në shoqërinë tonë. Të gjitha komunitetet kanë vuajtur në dy dekadat e fundit ose kanë pësuar një numër të viktimave gjatë dhe pas luftës. Përveç kësaj, unë do ta veçoja komunitetit tim me faktin se në njëzet vitet e fundit ka mbetur plotësisht pa të drejta, se është në margjinat e të gjitha ligjeve dhe cenimit të lirive themelore siç është e drejta për të pasur dokumente, e drejta në pronë, e drejtat e kthimit dhe të drejtat tjera të njeriut që janë bazë për pajtim midis popujve të Kosovës. Përveç aq shumë ngjashmërive, ne kemi dallime për fat të keq, edhe për atë se jetojmë pranë njëri-tjetrit, por që nuk e njohim sa duhet popullin tjetër, kulturën e tij, zakonet dhe fenë. Kjo është në radhë të parë karakteristike për brezat e rinj, të cilët në vend se të afrohen, po distancohen vazhdimisht, me barriera gjuhësore dhe sociale, drejtimi dhe tempoja e të cilave po diktohet nga kushtet politike.

Në zgjedhjet e fundit, banorët e Gorazhdecit në përqindje të madhe, përveç përfaqësuesve të tyre të komunitetit, votuan për kryetarin aktual

NP: Si është disponimi në Gorazhdec sot? Si e shohin njerëzit të ardhmen e tyre?

Dimitrijević: Gorazhdeci nuk ndryshon shumë nga vendet e tjera në Kosovë. Ai pati një të kaluar tragjike pas lufte të  cilën njerëzit nuk duan ta harrojnë, por nga ana tjetër duan t’i kthehen ndërtimit të një jete më të mirë. Këtu shumë njerëz jetojnë nga bujqësia, nga ndihma sociale që marrin nga Serbia dhe inkurajon një marrëdhënie shumë e mirë me komunën e Pejës në pesë apo gjashtë vitet e fundit. Komuna ka organizuar debate publike për buxhetin dhe tema të tjera në Gorazhdec për disa vite me radhë, ka investuar në infrastrukturë dhe fusha të tjera. Ndoshta kjo është arsyeja që në zgjedhjet e fundit, banorët e Gorazhdecit në përqindje të madhe, përveç përfaqësuesve të tyre të komunitetit, votuan për kryetarin aktual. E ardhmja është e pasigurt këtu vetëm për të rinjtë. Kjo në njëfarë mënyre po e përcjell trendin e Kosovës dhe atë rajonal të largimit të të rinjve. Megjithatë, ka një numër jo të vogël të atyre që kanë lidhur martesë dhe krijuar familje këtu, që kanë ndërtuar shtëpi dhe duan të qëndrojnë këtu.

Ne patëm protesta shumëtnike kundër mbetjeve kimike të depozituara në një fabrikë lokale. Bashkësia lokale e disa fshatrave të banuara nga shqiptarë dhe serbë u bashkua dhe njerëzit kanë protestuar së bashku shtatë herë

NP: Deri në çfarë shkalle ndihen banorët e Gorazhdecit pjesë e Kosovës?

Dimitrijević: Autoritetet në Kosovë me veprimet e tyre bëjnë çmos për të siguruar që serbët që jetojnë këtu të mos mund ta përfytyrojnë Kosovën si shtet të tyre. Serbët që jetojnë këtu i respektojnë shumë ligjet, mund të them se janë ndër paguesit më të mirë të taksave dhe detyrimeve. Nga ana tjetër, ata kanë hasur në mosrespektim nga institucionet e Kosovës, shumë prej tyre nuk mund t’i realizojnë të drejtat e tyre. Në këtë rajon ka një numër të madh të atyre që as nuk mund të marrin dokumente, edhe pse kanë jetuar gjithë jetën këtu. Respektimi i të drejtës së gjuhës është gjithashtu një problem i madh, e drejta për pronë … Nga ana tjetër, qeveria serbe për dekada ka qenë shumë e afërt me njerëzit që jetojnë këtu dhe mbështetë mbijetesën e njerëzve në aspektin financiar dhe material.

Ndjenja se janë pjesë e Kosovës është e pranishme. Megjithatë, mendoj se kjo ndjenjë është krejtësisht e ndryshme nga ajo se si e shohin për shembull pjesëtarët e komunitetit shqiptar. Nëse e lëmë anash  kontekstin politik, mendoj se duhet të punojmë shumë për t’i nxitur njerëzit të njohin njëri-tjetrin më mirë, të mësojnë gjuhën e njëri-tjetrit dhe kështu të zhvillojnë një ndjenjë të vlerave të diversitetit kulturor-tradicional dhe në fund të jetojmë në të njëjtën hapësirë. Në Gorazhdec kjo u tregua se është e mundur. Ne patëm protesta shumëtnike kundër mbetjeve kimike të depozituara në një fabrikë lokale. Bashkësia lokale e disa fshatrave të banuara nga shqiptarë dhe serbë u bashkua dhe njerëzit kanë protestuar së bashku shtatë herë.

Ne kemi dëgjueshmëri në shumë komunitete të kthyera, edhe komuniteti boshnjak na dëgjon, por për kënaqësinë tonë të madhe edhe shqiptarët shpesh na lajmërohen

NP: Cili është qëllimi i Radio Gorazhdecit? Kush e përbën audiencën tuaj dhe çka mendoni se arrini? Cilat janë burimet e lajmeve tuaja? A provoni të arrini edhe tek dëgjuesë të tjerë, veçanërisht komunitetin shqipfolës?

Dimitrijević: Radio Gorazhdeci është një radio lokale në rajonin e Pejës. Ne mbulojmë disa komuna dhe në plan të parë përpiqemi të kemi informatat lokale. Në tetor do të shënojmë njëzet vjet ekzistencë. Unë mendoj se një punë serioze qëndron prapa nesh. Gjenerata të ndryshme të gazetarëve kanë kaluar këtu, ne prodhojmë storje në nivel lokal në baza ditore, kemi pritur përfaqësuesë të shumtë ndërkombëtarë dhe vendorë, kemi biseduar për tema të ndryshme që janë aktuale në një moment të caktuar. Aktualisht kemi një program të mëngjesit që është mjaft i shikuar, i cili transmetohet edhe në televizion. Të gjitha këto rezultate na bëjnë të ndiejmë përgjegjësi të madhe për kohën përpara.

Përveç Gorazhdecit, ne kemi dëgjueshmëri në shumë komunitete të kthyera, edhe komuniteti boshnjak na dëgjon, por për kënaqësinë tonë të madhe edhe shqiptarët shpesh na lajmërohen. Për mua kjo është një shenjë se po bëjmë një program të mirë të cilin e dëgjojnë të gjithë.

NP: Ju përfaqësoni një komunitet të vogël, megjithatë keni një lloj jehone – pse mendoni se ndodh kjo?

Dimitrijević: Do të thosha më parë se unë jam vetëm një pjesë e atij komuniteti të vogël. Unë nuk mund të them se e përfaqësoj atë, sepse ndodh që mënyra ime e të menduarit shpesh dallon nga mënyra se si mendon një pjesë e madhe e komunitetit, shpesh qëndrimet tona nuk përputhen. Unë e shoh veten dhe mediumin që përfaqësoj si shumë të lirë për të folur për çfarëdo teme, çfarëdo problemi. Ndërsa komuniteti serb, për fat të keq, është shumë i ekspozuar ndaj presioneve të përfaqësuesve politik. Qëllimi ynë është që si medium të theksojmë problemin dhe që kjo të jetë në pajtim me standardet profesionale, kurse u mbetet qytetarëve të vendosin se si të sillen në një situatë të caktuar. Mendoj se ky rol i yni është shumë i rëndësishëm në procesin e demokratizimit të shoqërisë.

Unë mendoj se të gjithë në Kosovë kanë humbur për sa i përket taksave. Humbja nuk është vetëm ajo financiare në të cilën Serbia po humbet

NP: A ndien ekipi juaj ndonjë presion politik gjatë punës? Në prill, presidenti Vučić bëri disa komente përçmuese për mediat e pavarura në gjuhën serbe në Kosovë. Si u pranuan këto nga Radio Gorazhdeci dhe a pati kjo ndonjë ndikim në punën tuaj?

Dimitrijević: Për fat të keq, po. Kur përpiqeni të paraqisni problemin në mënyrë të paanshme, atij që përpiqet t’i tregojë gjërat ndryshe kjo gjë nuk i përshtatet. Kishte presione mbi ne dhe nga autoritetet serbe, për shkak të një teme me të cilën u morëm në vitin 2008, unë kam marrë edhe kërcënime me vdekje. Gjithashtu, ka pasur raste kur ne jemi keqtrajtuar dhe arrestuar nga Policia e Kosovës në fshatrat ku ka pasur të kthyerë.

Me kalimin e kohës ne hodhëm themelet e punës sonë, e ndërtuam integritetin tonë dhe presionet u bënë më të moderuara. Për fat të mirë, mësuam t’i bëjmë ballë të gjitha këtyre presioneve.

Deklarata e presidentit Vučić, i cili vuri në shënjestër mediat serbe, as nuk më goditi dhe as nuk më habiti. Unë nuk i vë veshin pretendimeve që janë një gjueti ditore mediale me synimin që të zhvendosin vëmendjen nga gjëra shumë më të rëndësishme. Nga ana tjetër, është për të ardhur keq që askush në Kosovë apo Serbi nuk ka reaguar kur disa televizione të afërta me Presidentin Vučić, të cilat i mbështetë direkt financiarisht, vendosën objektivin në ballë të të ndjerit Oliver Ivanović gjatë fushatës zgjedhore në Kosovë.

NP: Si janë prekur banorët e Gorazhdecit nga taksa 100%, veçanërisht sa i përket ushqimit dhe ilaqeve? A kanë zhvilluar ndonjë shprehi të re të konsumimit?

Dimitrijević: Unë mendoj se të gjithë në Kosovë kanë humbur për sa i përket taksave. Humbja nuk është vetëm ajo financiare në të cilën Serbia po humbet. Humbësi më i madh në këtë procedurë është shoqëria kosovare të cilës i është mohuar cilësia me çmime më të volitshme. Njerëzit që jetojnë këtu shpesh udhëtojnë në Serbinë qendrore dhe atje marrin një sasi të caktuar të ushqimit. Ka ende produkte nga Serbia në zinxhirët më të mëdhenj të shitjes me pakicë, kështu që kjo nuk e ka goditur direkt komunitetin serb. Nga ana politike, mendoj se me këtë proces, i gjithë sistemi ka humbur shumë dhe se shumë procese janë ndërprerë. Ka kohë që jemi duke vendnumëruar.