Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë me një sqarim lidhur me transportimin e materialeve zgjedhore nga votimi jashtë Kosovës.
Në njoftimin e lëshuar nga MPJD thuhet se tërheqja e dërgesave postare nga kutitë postare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe dërgimi i materialeve zgjedhore në përfaqësi diplomatike, do të bëhet përmes rrugëve tokësore nga zyrtarët e KQZ-së, me ndihmën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që ka siguruar automjetet transportuese, të cilat do të drejtohen nga zyrtarët e saj. Krejt kjo meqë ka dështuar nënshkrimi i kontratës për shërbimet postare, shkaku i ankesave, shkruan Reporteri.net.
“Deri më tani, në disa raste, KQZ ka tërhequr pakot me fletëvotime, të cilat janë dërguar për të qëndruar përkohësisht në përfaqësi të ndryshme diplomatike, respektivisht në dhomat e tyre të sigurisë, ku vëzhgohen vazhdimisht nga kamerat. Këto tërheqje janë zhvilluar në një proces transparent, me njoftimin paraprak të vëzhguesve të subjekteve politike, të cilët nuk kanë evidentuar ndonjë vërejtje në protokollet e tërheqjes dhe në praninë e zyrtarëve të KQZ-së”, thuhet në njoftim.
KQZ ka sqaruar se sjellja e pakove me fletëvotime dhe materialeve të tjera zgjedhore në Republikën e Kosovës do të bëhet nën shoqërimin e vazhdueshëm të zyrtarëve të KQZ-së, me statusin e dërgesave diplomatike.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është siguruar që kjo mënyrë e transportit të jetë e sigurte, pa ndonjë problem dhe që të ruhet integriteti i procesit dhe materialeve zgjedhore. Ky lloj i transportit ka karakterin diplomatik, me elementet shoqëruese, siç janë notat verbale, çka e shton sigurinë e ngarkesave. Ky vendim për këtë mënyrë transportimi është marrë pasi procedura tenderuese për shërbimet postare është në fazën e ankesave, gjë që e ka bërë të pamundur nënshkrimin e kontratës me operatorin ekonomik fitues”, thuhet tutje në reagim.
Ndryshe, sekretari organizativ i AAK-së për diasporë, Sokol Mehmetaj është shprehur i shqetësuar lidhur me organizimin e transportit të votave nga Cyrihu i Zvicrës.
Mehmetaj shkroi në Facebook se votat po transporoheshin në mënyrë të rrezikshme për një periudhë prej të paktën tre ditësh.