×
  • Lajme
  • Lajme

    Basha në KiE kërkon hetim ndërkombëtar për zgjedhjet serbe

    Reporteri
    23 Janar 2024 | 23:11

    Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha, ka kërkuar hetim ndërkombëtar për parregullsitë e evidentuara në zgjedhjet në Serbi. Në fjalën e tij në Asamblenë Parlamentare të KIE, Basha theksoi se blerjet e votave ishin disa nga parregullsitë serioze që ndodhën gjatë këtyre zgjedhjeve, ndërsa shqiptarët u hoqën nga listat e votuesve.

    “Shkelje masive dhe parregullsi në zgjedhjet në Serbi, siç tregohet nga raporti paraprak i OSBE-së, u dominuan nga përfshirja vendimtare e presidentit, i cili, së bashku me avantazhet sistemike të partisë në pushtet, krijoi kushte të pabarabarta. Konkurrenca e padrejtë, anësia e medias dhe blerjet e votave ishin disa nga parregullsitë serioze që ndodhën gjatë këtyre zgjedhjeve, siç deklaroi edhe misioni i vëzhguesve zgjedhorë. Qytetarë nga shtete të tjera, si Bosnjë dhe Hercegovina, u transportuan për të votuar në Beograd, ndërsa shqiptarët u hoqën nga listat e votuesve. Serbia vazhdon diskriminimin etnik dhe spastrimin e heshtur duke u pamundësuar rreth 8 mijë shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc marrjen e dokumenteve, e duke i privuar ata nga e drejta e votës dhe qasje në shërbime publike përmes pasivizimit të adresave. Një hetim ndërkombëtar i plotë në parregullsitë e zgjedhjeve serbe dhe mbrojtja e standardeve zgjedhore, gjithashtu në vende të tjera në Ballkanin Perëndimor që përballen me çështje zgjedhore dhe mungesën e sundimit të ligjit, janë imperative. Pa zgjedhje demokratike dhe sundim të ligjit, nuk ka siguri, nuk ka stabilitet, nuk ka mirëqenie, as ëndërr evropiane për popujt e Ballkanit Perëndimor”.

    Sipas Bashës, këto parregullsi, të bëra publike nga vëzhguesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Parlamentit Evropian dhe OSBE-ODIHR, u ndoqën nga një fushatë sulmesh nga politikanët e partisë në pushtet dhe media e kontrolluar nga ata.

    “Dhuna brutale kundër liderit të një partie të opozitës, Nikola Sanduloviq, thjesht sepse u përul para varrit të një vajze 7-vjeçare të vrarë pranë familjes Jashari në Prekaz, duhet të kumbojë kudo si një dëshmi e një fushate intimidimi dhe ndëshkimi, kjo nga një vend që kërkon anëtarësim në BE”.

    Basha theksoi se stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është i kërcënuar nga autokratët populistë, ndërsa akuzoi Serbinë se saboton sigurinë në Ballkan me strategji nga Moska.

    “Në Ballkanin Perëndimor, autokratët shpesh janë toleruar në manipulimin e zgjedhjeve, me shpresën e vagullt dhe të rreme për të ruajtur stabilitetin në këmbim të demokracisë dhe sundimit të ligjit. Tani përballemi me pasojat e kësaj qasjeje të dështuar: viktimat e para janë demokracia dhe sundimi i ligjit. Në fund, stabiliteti është i kërcënuar nga autokratët populistë, që kërkojnë strehim nga dështimet e tyre në aventurat ultra-nacionaliste. Sulmi terrorist në Banjskë ende nuk është zbardhur, ndërsa Serbia refuzon të ekzekutojë urdhrin e Interpolit për Milan Radoiçiqin, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Nëse Serbia nuk ka asgjë për të fshehur, pse e mbron atë? Serbia vazhdon të sabotojë dhe të kërcënojë sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë e Mal të Zi, me një strategji të mbështetur nga Moska, që synon të stimulojë konfliktin në Ballkanin Perëndimor, për të devijuar vëmendjen nga lufta e saj e paligjshme e pushtimit kundër Ukrainës”, deklaroi Basha. /a2news

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!