Sipas matjeve të fundit nga “UBO Consulting”, i siguruar ekskluzivisht nga Gazeta Online Reporteri.net, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje renditet në vend të parë me 49.6 për qind.
Për këtë sondazh ka reaguar edhe deputeti tjetër i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, pas Mefail Bajqinovcit.
Basha ka thënë se rezultatet e sondazhit tregojnë se qeveria e Kurtit po punon dhe për këtë po vazhdon edhe mbështetja qytetare për të.
“Mbështetja vazhdon, siç vazhdon edhe puna e pandalshme dhe e ndershme e Qeverisë Kurti! Sigurisht se këtij sondazhi në fund i shtohet edhe mërgata, porsi qershia mbi torte”, ka shkruar Basha duke publikuar edhe rezultatin e sondazhit.
Nga ky sondazh i kryer për periudhën 3 deri 15 qershor nga “Ubo Consulting”, Partia Demokratike e Kosovës del të jetë në vend të dytë me 17 për qind të votave.
LDK-ja radhitet e treta me 15.5 për qind, duke shënuar kështu rënie, krahasuar me sondazhin paraprak të “UBO Consulting” që kishte 16 për qind. AAK dhe NISMA kanë qenë surpriza e këtij sondazhi duke shënuar rritje në 8.6 për qind, 1.7për qind më shumë se sa në mars kur kishin rezultuar me 6.9 për qind të mbështetjes./Reporteri.net/