×
  • Lajme
  • Lajme

    Bashkëjetesa paqësore shqiptare-serbe në Klinë, 70 vjeçarja serbe: Nuk kam probleme me askënd

    Reporteri
    01 Janar 2020 | 15:42

    Ka mbi 70 vjet që jeton në qendër të Klinës. Deri para disa vjetësh e kishte edhe bashkëshortin, i cili i ndërroi jetë pas një sëmundjeje.


    Leposava Naziqin, 72-vjeçarja serbe, nuk e pengon asgjë që të jetojë në mesin e shqiptarëve.

    E vetme, në shtëpinë e saj në Klinë, zhvillon një jetë normale sikurse edhe bashkëqytetarët e saj shqiptarë. Mërzinë e saj pas vdekjes së burrit mundohet ta heqë duke marrë pjesë në takime të OJQ-ve që i bëjnë bashkë gratë e minoriteteve me ato shqiptare. Një pjesë të kohës e kalon edhe duke punuar punë dore.

    Vetëm pak metra larg shtëpisë së saj ndodhet organizata joqeveritare “Zana”, e cila shumë shpesh organizon aktivitete të ndryshme me gratë. Naziq gëzon një respekt tek banorët e kësaj komune. Sipas saj, kur je i pafajshëm dhe nuk ke kryer ndonjë vepër të keqe, s’ke pse frikësohesh të jetosh në shtëpinë tënde. Thotë se e ka vetëm një mërzi që ia djeg zemrën – mungesa e djalit të vetëm, i cili jeton në Mal të Zi. Në vitin 1999 bashkë me burrin dhe djalin, Naziq ishte shpërngulur në Serbi derisa pas luftës ishin të parët që u kthyen në Kosovë. Tre vjet jetuan në Fushë Kosovë e më pas u rikthyen në shtëpinë e tyre në Klinë, shkruan Koha Ditore.

    “Burri im Klinën e ka pasur çdoherë në zemër, zemra e therte për këtë qytet. Menjëherë pas luftës fillimisht u kthyem në Fushë-Kosovë e më pas duke e përcjellë televizorin e pamë se mund të kthehemi në shtëpitë tona. Në vitin 2004 vendosëm që të ktheheshim këtu. Fatkeqësisht pas disa vjetësh burri më vdiq dhe mbeta e vetme”, rrëfen ajo.

    Thotë se djali i saj nuk u kthye pas luftës në Kosovë dhe e krijoi familjen e tij në Mal të Zi.

    Megjithatë, viteve të fundit ai vjen çdo muaj tek nëna e tij dhe kalon disa ditë me të. Naziq tregon se edhe gjatë kohës sa e kishte bashkëshortin gjallë gëzonin një respekt nga fqinjët.

    “Burri im ishte mekaniku me i njohur në Klinë, një njeri i respektuar, i cili asnjëherë nuk e shikonte a janë myshterinjtë shqiptarë apo serbë. Edhe atëherë, edhe tash nuk kam probleme me askënd, kam shumë dëshirë të shoqërohem me njerëz, edhe pse jam plakë. Të vetmet gjëra që ma mundojnë shpirtin janë vetmia dhe mungesa e djalit”, tregon ajo.

    Thotë se gëzohet kur dikush ia hap derën dhe e viziton. Shton se në shtëpinë e saj janë të mirëseardhur si serbët ashtu edhe shqiptarët.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!