Mungesa e kuorumit ishte arsyeja që dha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca kur vendosi që të ndërprehet seanca pikërisht atëherë ku në rend ishte shqyrtimi i tërheqjes së mjeteve nga Trusti. Të njëjtës linje ishte edhe shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV), Mimoza Kusari-Lila.
Ajo në konferencën për medie të mërkurën tha se “Sot ajo çfarë ndodhi në seancë ishte humbja e kuorumit si pasojë e mospjesëmarrjes në votim të opozitës dhe kjo situatë po përsëritet. Nuk ishte mazhoranca që e bllokoi por ishte opozita që refuzoi të ishte aktive në pikat të cilat ishin në agjendë për tu trajtuar sot. Opozita duhet të jetë serioze dhe jo të bëjë bllokada duke zgjedhur pikat që atyre u përshtaten”.
Mirëpo, kjo nuk po del të jetë arsyeja e ndërprerjes së seancës sipas bashkëpartiakut të Konjufcës e Kusarit-Lila.
Deputeti i Vetëvendosjes, Gazmend Gjyshinca tha se Kuvendi kishte kuorum por që sipas tij me ndërprerjen e seancës Konjufca ka parandaluar degradimin e mëtejmë të Kuvendit.
“Ishim në një seancë të radhës së seancës ku ndër pikat e diskutimit planifikohej të diskutohet edhe çështja e Trustit. Ajo çfarë mund të them për atë se çfarë ka ngjarje në Kuvendin e Kosovës, në fakt ka pas kuorum, ka pas numër të mjaftueshme të deputetëve si të pozitës e të opozitës që të trajtoheshin pikat. Mirëpo kemi pas një bllokim nga ana e opozitës që unë mendoj që është një vazhdë e një prolongimit të temave që ka filluar javë më parë. Pra, ne kemi pas kuorum, kemi mundur ta trajtojmë këtë çështje dhe ajo çka ka bërë Konjufca sot është shkurt, parandalimi i degradimit të mëtutjeshëm të Kuvendi të Kosovës. E them këtë sepse ne i patëm disa pika para se të vinim te Trusti të cilat po trajtoheshin e për të cilat nuk po krijohej do të pjesëmarrja e duhur e deputetëve, në momentin kur u konstua që nuk kemi kuorum për t’i kaluar pikat që po trajtoheshin deri në atë moment ne vendosëm ta ndërpremë seancën”, ka deklaruar Gjyshinca në Atv, shkruan Reporteri.net.
Ndërkohë që pas ndërprerjes së seancës, ka reaguar Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nëpërmjet një konference për medie.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se në sallë ishin rreth 80 deputet, duke hedhur poshtë arsyetimin e Konjufcës për mungesë të kuorumit.
“Sot, në mënyrë arbitrare u ndërpre seanca pikërisht në kohën kur ishte për t’u diskutuar shqyrtimi i tërheqjes së Trust-it. Ju e pate që ishin rreth 80 deputetë në sallë dhe pavarësisht kësaj u ndërpre nga Konjufca. Nuk e di cila mundet me qenë arsyeja dhe përse me e blloku debatin, kjo është e papranueshme”, tha Tahiri.
Seanca për shqyrtimin e tërheqjeve nga Trusti pritet të mbahet të enjten (nesër) duke filluar nga ora 10:00.