Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Ablulena Haxhiu i ka dalë në mbrojtje Ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci për bastisjet që sot u kryen pranë këtij institucioni lidhur fabrikën për përpunimin e mbetjeve shtazore, shkruan Reporteri.net.
Haxhiu shprehet e bindur se Peci ka bërë punë të jashtëzakonshme në Ministrinë që e drejton. Madje sipas saj ky është një plan për ta dëmtuar Pecin dhe Qeverinë Kurti.
“Unë jam shumë e bindur që ministri Peci e ka bërë një punë të jashtëzakonshme në ministrinë e Bujqësisë. Nuk ka asgjë për të fshehur këtu, nuk ka pasur ndërhyrje, ne kemi pasur rastin të diskutojmë para disa ditëve dhe sot, ai është shumë i hapur që të bashkëpunojë me institucionet për të zbardhur këtë plan për ta dëmtuar ministrin Peci dhe Qeverinë Kurti. Pra nuk ka asgjë për të fshehur, nuk ka ndërhyrje dhe do të jetë kurdo që të ftohet nga institucionet”, tha Haxhiu para gazetarëve.
Bastisjet e sotme në këtë Ministri i konfirmoi edhe Prokuroria Speciale.
Nga Prokuroria Speciale kanë konfirmuan për Gazetën online Reporteri.net se bastisjet po zhvillohen në katër lokacione në lidhje me dyshimet për fabrikën për përpunimin e mbetjeve shtazore.
“Ju njoftojmë se Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës është duke zhvilluar bastisje në katër lokacione. Bastisjet po zhvillohen mbi dyshimet për Fabrikën për përpunimin e mbetjeve shtazore. Për detaje të tjera, publiku do të njoftohet gjatë ditës”, ka thënë Arbnora Luta, zëdhënëse e Prokurorisë Speciale.
/Reporteri.net/