×
  • Lajme
  • Lajme / Largimi i kryetarëve

    BE i bën thirrje Listës Serbe që të rishqyrtojë vendimin për mospjesëmarrje në votimin e 21 prillit

    Reporteri
    09 Prill 2024 | 12:45

    Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Listës Serbe që të rishqyrtojë vendimin për mospjesëmarrje në votimin e planifikuar të 21 prillit në katër komunat veriore të Kosovës.

    Në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net, nga Bashkimi Evropian kanë shprehur keqardhje që Lista Serbse ka vendosur të mos marrë pjesë në këto zgjedhje.

    BE thotë se demokracia ka të bëjë me pjesëmarrjen dhe se elektoratit serb të Kosovës i duhet të shfrytëzojë të drejtat e veta dhe të shprehin opinionin e tyre politik në kutitë e votimit.

    “BE-ja shpreh keqardhjen që Lista Srpska ka vendosur të mos marrë pjesë në votimin e 21 prillit në katër komunat veriore. Kjo vjen pas bojkotit të tyre të mëparshëm të zgjedhjeve lokale të prillit 2023 në veri të Kosovës.

    Megjithëse zgjedhjet lokale të prillit 2023 u zhvilluan në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, ato nuk ofruan një zgjidhje politike afatgjatë pasi bojkoti nga serbët e Kosovës rezultoi në një pjesëmarrje shumë të ulët të përgjithshme.

    Ne morëm parasysh shqetësimet e shprehura nga serbët e Kosovës në lidhje me procesin që mundëson zgjedhje të reja lokale. Megjithatë, ne i bëjmë thirrje Listës Serbe që të rishqyrtojë vendimin për të mos marrë pjesë, pasi demokracia ka të bëjë me pjesëmarrjen, dhe elektoratit serb të Kosovës që të shfrytëzojë të drejtat e veta dhe të shprehë opinionin e tyre politik në kutinë e votimit”, thuhet në përgjigjen e BE-së për Reporteri.net.

    Tutje, Bashkimi Evropian thotë se është kritike që serbët e Kosovës të marrin pjesë pa parakushte në këto zgjedhje në veri të Kosovës, pasi kjo do të siguronte një qeverisje vendore plotësisht përfaqësuese atje dhe do të ndihmonte në de-përshkallëzimin e situatës.

    Që kur serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në vitin 2022, BE thekson se është angazhuar me partnrët për Kosovën dhe Serbinë që të mundësojnë kthimin e tyre në këto institucione.

    “BE-ja rikujton se është e rëndësishme që zgjedhjet lokale gjithëpërfshirëse, në të cilat serbët e Kosovës marrin pjesë pa parakushte, të mbahen në të katër komunat në veri të Kosovës. Kryerja e zgjedhjeve të reja për kryetar të komunës do të siguronte një qeverisje vendore plotësisht përfaqësuese në veri dhe do të ndihmonte në de-përshkallëzimin e situatës. Vota e tërheqjes është një hap në këtë drejtim.

    Që kur serbët e Kosovës u larguan nga institucionet e Kosovës në veri të Kosovës në nëntor të vitit 2022, BE-ja me partnerët tanë janë angazhuar me Kosovën dhe Serbinë për të mundësuar kthimin e tyre në institucione. Është e domosdoshme që të kthehemi në një situatë ku serbët e Kosovës marrin pjesë aktive në qeverisjen lokale, policimin dhe gjyqësorin në veri të Kosovës”, thonë nga BE për Reporteri.net.

    Të keqardhur me këtë situatë janë shprehur dje edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Nga Ambasada Amerikanë në Prishtinë kanë komentuar thirrjen që ka bërë Lista Serbe për bojkotimin e votimit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

    Sipas ambasadës, siç kanë thënë vazhdimisht ambasadori Hovenier dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë amerikane, ata besojnë se është e rëndësishme që qytetarët e Kosovës kanë aftësinë për të ushtruar të drejtën e tyre për të tërhequr zyrtarët e zgjedhur në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, nëse ata vendosin ta bëjnë këtë.

    “Ne vlerësojmë përpjekjet e bëra nga zyrtarët zgjedhorë kosovarë për t’i lejuar të gjithë qytetarët e Kosovës të marrin pjesë në këtë proces demokratik. Mundësi pjesëmarrjeje kanë të gjithë qytetarët e regjistruar në veri të Kosovës. Na vjen keq për deklaratën e Listës Serbe se ata do të tërhiqen nga pjesëmarrja në votimin për tërheqjen e kryetarëve”, thotë ambasada.

    SHBA-ja shpreh keqardhje për deklaratën e LS-së për bojkot të votimeve në veri

    Anëtarët e komisioneve komunale zgjedhore (KKZ) në veri nga Lista Serbe kanë dhënë dorëheqje të hënën, ka konfirmuar Komizioni Qendror i Zgjedhjeve.“Mund t’ua konfirmoj se kemi pranuar dorëheqjet nga katër anëtarët e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve për komunat Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, të cilët janë emëruar më parë nga KQZ si përfaqësues të subjektit politik Lista Serbe”, tha për gazetën online Reporteri.net zëdhënësi për media në KQZ, Valmir Elezi./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!