×
  • Lajme
  • Lajme / Deklarata

    BE-ja kritika Kosovës për aksionin në veri: Prioritet i tyre veprimet e njëanshme e jo bashkëpunimi me miq e aleatë

    Reporteri
    21 Maj 2024 | 14:51

    Bashkimi Evropian  thotë se e ka parë me shqetësim operacionin policor të autoriteteve të Kosovës të së hënës në zyrat e Bankës së Kursimeve Postare serbe në veri të Kosovës.

    Në një deklaratë të lëshuar sot, Bashkimi Evropian thotë se ky aksion u bë pa paralajmërim dhe koordinim paraprak vetëm pak ditë pas takimit të fundit në Bruksel, ku siç theksohet në deklaratë, u trajtuar edhe çështja e kësaj banke, transmeton gazeta online Reporteri.net.

    Për BE-në aksioni i djeshëm është përshkallëzues dhe bie ndesh me frymën e normalizimit të marrëdhënieve.

    “Mbyllja dhe konfiskimi i këtyre zyrave pa paralajmërim apo koordinim paraprak dhe vetëm pak ditë pas takimit të fundit të dialogut, ku u trajtua edhe çështja e ambienteve të Bankës së Kursimeve Postare, është përshkallëzuese dhe bie ndesh me frymën e normalizimit dhe cenon mirëbesimin e Kosovës në në arritjen e normalizimit të marrëdhënieve përmes dialogut”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga BE.

    BE ka kritikuar institucionet kosovare për veprime të njëanshme dhe mosbashkëpunim me aleatët e saj.

    “Operacioni i së hënës dëshmon sërish se autoritetet e Kosovës kanë prioritet veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara sesa bashkëpunimin me miqtë dhe aleatët e saj”, thuhet në këtë komunikatë.

    “Përsëri, veprimet e pakoordinuara të njërës prej palëve vënë në rrezik zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit. Operacioni i Policisë së Kosovës po ashtu rrezikon negociatat e vazhdueshme për një zgjidhje të përkohshme për personat e prekur negativisht nga rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me para të gatshme. Në mungesë të vazhdueshme të alternativave të qëndrueshme, kjo do të ketë efekte negative në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera të kualifikuara për transfere financiare nga Serbia”.

    BE thotë se statusi i të gjitha strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia është paraparë të zgjidhet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, “në lidhje me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe”.

    BE-ja i kërkon Kosovës dhe Serbisë që të kthehen në tryezën e negociatave dhe të pajtohen me “propozimin e fundit të kompromisit të paraqitur nga lehtësuesi i BE-së që u lejon përfituesve të kualifikuar të marrin transfere financiare nga Serbia”, përfundon deklarata. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!