Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë shtetet e para që kanë marrë mjetet e parafinancimit nga Plani Evropian i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Duke e përshëndetur këtë, komesarja evropiane për zgjerim, Marta Kos, nënvizoi se mjetet e para do shërbejnë si shtytje në zbatimin e reformave kyçe për të nxitur rritjen, përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe afrimin e vendeve me BE-në.
Pritet që Mali i Zi dhe Serbia të marrin këstet e para në ditët në vijim.
Kosova, për momentin, nuk mund të llogarisë në pranimin e parafinancimit, meqë duhet të pritet formimi i institucioneve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, raporton RTK.
Secili shtet përfitues duhet të nënshkruajë me Bashkimin Evropian një marrëveshje për kredi. Këto marrëveshje kanë karakter ndërkombëtar dhe duhet të ratifikohen në kuvend me dy të tretat e votave.
Në rastin e Kosovës, kjo mund të bëhet vetëm pas konstituimit të Parlamentit të ri.
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i prezantuar në vitin 2023, synon të përshpejtojë konvergjencën socio-ekonomike të rajonit me Bashkimin Evropian dhe të hapë rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Kjo pako kap vlerën prej 6 miliardë eurosh dhe mbulon periudhën 2024-2027. Nga kjo shumë, 2 miliardë euro ndahen në formë të granteve pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të favorshme.
Shpërndarja e mjeteve bazohet në numrin e popullsisë dhe bruto produktin shoqëror.
Kosova nga kjo pako pritet të përfitojë mbi 880 milionë euro.