Bashkimi Evropian ka reaguar për arrestimin e shtetasit kosovar Arbnor Spahiu nga autoritetet serbe, duke theksuar se po e ndjek me vëmendje këtë rast dhe pret nga Serbia të respektojë plotësisht procedurat ligjore.
“BE-ja po ndjek nga afër arrestimin e Arbnor Spahiut nga autoritetet serbe. Ne presim që autoritetet serbe të respektojnë dhe të sigurojnë zbatimin e rregullt të procedurës ligjore”, kanë thënë nga BE-ja për RTV Dukagjinin.
Ky reagim vjen pas reagimeve të autoritetet kosovare për mënyrën e arrestimit të Spahiut dhe pasigurinë mbi trajtimin e tij në ndalim. BE-ja rikujton detyrimin për respektimin e të drejtave themelore dhe garantimin e një procesi të drejtë ligjor, në përputhje me standardet dhe vlerat themelore evropiane.
Autoritetet serbe ditë më parë ndaluan Spahiun ish-zyrtar policor i Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës. Kjo erdhi nën akuzat e Beogradit se Arbnor Spahiu mori pjesë në operacionin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku u krye sulm ndaj Policisë së Kosovës.
Ndonëse Spahiu kishte dhënë dorëheqje një vit para rastit, atij iu shqiptua masa prej një muaji paraburgim në Serbi, me akuzën për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”, në Banjskë, ku një grup i serbëve të armatosur ka sulmuar policinë e Kosovës në shtator të vitit 2023.
Presidentja Vjosa Osmani pas arrestimit të ish-policit Arbnor Spahiu ka thënë se Serbia duhet të ndalë menjëherë fushatën e saj të arrestimeve politike kundër qytetarëve të Kosovës dhe të mbahet përgjegjëse ndërkombëtarisht për veprimet e saj arbitrare.
Osmani ka thënë se përveç kontakteve të vazhdueshme me Zyrën Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd, ka kërkuar edhe reagimin e fuqishëm të shteteve të Quint-it dhe Misionit të BE-së. Edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se institucionet janë angazhuar maksimalisht që ish-polici Arbnor Spahiu të lirohet sa më parë, që prej momentit të arrestimit të tij para dy ditësh në pikën kufitare Hungari-Serbi.
Ai ka thënë se nuk do të pranojnë që të normalizohet kjo sjellje e Serbisë karshi qytetarëve të Kosovës.