Edicioni i dytë i “EU With YOU Creative Hub”, i organizuar nga projekti rajonal i komunikimit WeBalkans dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Mal të Zi, u mbajt më 5 dhe 6 nëntor në Parkun Shkencor dhe Teknologjik në Podgoricë. Gjatë dy ditëve, përmes historive dhe përvojave personale nga vende të ndryshme të rajonit, u prezantua ndikimi konkret i mbështetjes së Bashkimit Evropian në jetën e qytetarëve.

Aktiviteti Creative Hub në Podgoricë mblodhi mbrojtës të të drejtave të njeriut, gazetarë, krijues të përmbajtjes digjitale, artistë, aktivistë të rinj dhe përfaqësues të delegacioneve të BE-së nga i gjithë rajoni. Qëllimi ishte që vlerat evropiane të prezantohen përmes historive dhe përvojave konkrete të njerëzve.

Përmes këtij edicioni të dytë, fushata EU With YOU, (BE me TY) pjesë e projektit WeBalkans të Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore, ritheksoi rëndësinë e historive njerëzore dhe shembujve konkretë për të treguar se si vlerat dhe mbështetja e Bashkimit Evropian ndikojnë në jetën e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor.

Reklamë

Në hapje të aktivitetit, Raluca Costache, drejtuese e programit WeBalkans, theksoi rëndësinë e prezantimit të vlerave themelore të BE-së përmes historive reale, që vendosin njerëzit në qendër. Sipas saj, synimi nuk është vetëm informimi i publikut për projektet që financon Bashkimi Evropian, por edhe të tregohet se si kjo mbështetje ndryshon jetën e përditshme, krijon mundësi të reja dhe fuqizon komunitetet.

“Historitë më të fuqishme për mbështetjen e Bashkimit Evropian lindin aty ku të drejtat themelore ndërthuren me jetën e përditshme, duke treguar çfarë ka ndryshuar, kush ka përfituar dhe pse kjo ka rëndësi”, tha Costache.

Vlerat themelore të Bashkimit Evropian, të cilat kanë rol të rëndësishëm në procesin e reformave dhe integrimit evropian, përfshijnë dinjitetin njerëzor, lirinë, demokracinë, barazinë, sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

Shkrimtari dhe kolumnisti malazez Brano Mandić i trajtoi këto vlera nga një këndvështrim i veçantë, duke u përqendruar te rëndësia e lirisë së shprehjes.

Reklamë

“Liria e shprehjes nuk është diçka që fitohet njëherë e përgjithmonë. Nuk është thjesht diçka e shkruar në letër. Ajo ndryshon vazhdimisht. Dikur menduam se historia kishte përfunduar, por ky vlerësim doli të ishte i parakohshëm. Mendoj se sot jemi sërish në mes të historisë”, u shpreh Mandić.

Programi vazhdoi me diskutime në panele, ku pjesëmarrësit ndanë përvoja konkrete mbi mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përfshirjen sociale dhe kontributin e Bashkimit Evropian në avancimin e këtyre vlerave në rajon.

Suad Skenderi, menaxher i programeve në organizatën Romalitico nga Maqedonia e Veriut, foli për rëndësinë e përfshirjes së komunitetit rom në shoqëri. Ai theksoi se suksesi i politikave dhe projekteve duhet të matet përmes përmirësimeve konkrete në jetën e qytetarëve, e jo vetëm përmes numrit të politikave të miratuara apo projekteve të financuara.
“Në fund, ndryshimin e vërejmë kur shohim se fqinji apo lagjja jonë ka ndryshuar, kur njerëzit që duam dhe për të cilët kujdesemi jetojnë më mirë, kanë mundësi të barabarta dhe trajtohen me dinjitet”, tha Skenderi.

Anja Basha, nga organizata Albanian Human Rights Group në Shqipëri, theksoi se organizata e saj prej vitesh punon jo vetëm për përfaqësimin e qytetarëve në sistemin gjyqësor, por edhe për krijimin e urave të komunikimit ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve.

Reklamë

“Financimi i BE-së duhet të orientohet më shumë drejt organizatave që punojnë drejtpërdrejt me komunitetet, duke kuptuar më mirë se si projektet lidhen me realitetin në terren”, tha Basha.

Duke folur për mbështetjen financiare, Bulza Capriqi, nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), theksoi se është i gabuar perceptimi që organizatat e shoqërisë civile kanë nevojë vetëm për mjete financiare.

“Ato kanë nevojë edhe për aftësi dhe kapacitete që t’i përdorin këto mjete në mënyrë kuptimplote dhe me ndikim”, u shpreh Capriqi.

Branko Čečen, gazetar dhe ish-drejtor i Qendrës për Gazetari Hulumtuese në Serbi, foli për gjeneratat e reja të gazetarëve që po ndërtojnë karrierën e tyre në media, si dhe për të rinjtë në rajon, të cilët po organizohen gjithnjë e më shumë dhe po i shprehin më hapur kërkesat e tyre politike dhe shoqërore.

Reklamë

“Përmes shumë viteve punë dhe mijëra projekteve, të cilat Bashkimi Evropian jo vetëm i ka financuar, por edhe ka ndihmuar në zhvillimin e tyre përmes ideve, BE-ja ka kontribuar në krijimin e një gjenerate të rinjsh që kanë marrë përgjegjësi për formësimin e debatit publik, duke e orientuar atë drejt drejtësisë sociale dhe përfshirjes së të gjithëve”, tha Čečen.

Këtë qëndrim e mbështeti edhe Slobodan Blagovčanin nga Bosnja dhe Hercegovina, i cili theksoi se të rinjtë sot kanë aftësi më të mira për të verifikuar informacionin.

“Nuk duhet ta nënvlerësojmë aftësinë e tyre për të vlerësuar në mënyrë kritike atë që shohin”, tha ai.

Duke folur për mbështetjen e BE-së ndaj shoqërisë civile dhe mediave, Blagovčanin shtoi: “Duhet t’i mbështesim të rinjtë që kanë guximin të flasin hapur dhe t’u ofrojmë mbështetje edhe më të madhe gazetarëve që guxojnë të hulumtojnë dhe të zbulojnë keqpërdorimet.”

Reklamë

Së bashku me Ilir Gashin, gazetar dhe konsulent për media, Čečen udhëhoqi punëtorinë me temën “Mediat e së ardhmes: Një kurs intensiv për rishpikjen e komunikimit”. Gjatë kësaj punëtorie, pjesëmarrësit u inkurajuan të mendojnë për qasje të reja dhe kreative në komunikim, si dhe për forma të reja të zhvillimit të mediave.

Dita e dytë e Creative Hub iu kushtua zhvillimit të historive dhe përmbajtjeve mediatike nga gazetarë, profesionistë të mediave dhe krijues të përmbajtjes digjitale nga rajoni. Në këtë proces morën pjesë edhe
Ambasadorët e Rinj Evropianë nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Aktiviteti në Podgoricë pasoi edicionin e parë të Creative Hub, të mbajtur në Beograd gjatë muajit prill.
Në ditët në vijim, mediat tradicionale dhe ato digjitale në të gjithë rajonin do të publikojnë histori, intervista dhe materiale të tjera të realizuara gjatë këtyre dy ditëve, si pjesë e fushatës EU With YOU. Këto përmbajtje synojnë të sjellin më afër publikut historitë e njerëzve dhe të tregojnë ndikimin konkret të mbështetjes së Bashkimit Evropian në jetën e përditshme dhe në zhvillimin e komuniteteve të Ballkanit Perëndimor.