×
  • Lajme
  • Lajme

    BE në garë për ta zbutur ndikimin e SHBA’së në rajon, ky pritet të jetë i dërguari special për Ballkanin Perëndimor

    Reporteri
    25 Nëntor 2019 | 14:46

    Bashkimi Evropian po kërkon intensivisht një personalitet të përshtatshëm për postin e ri të të Dërguarit Special për Ballkanin Perëndimor.


    Sipas gazetës serbe Novosti, kandidati më serioz për të marrë përsipër këtë detyrë është Ministri aktual i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajçak. Qëllimi është që së pari dhe mbi të gjitha të zbus ndikimin e SHBA’së në rajon, përcjell reporteri.net.

    Si njohës i mirë i situatës dhe një politikan me përvojë i cili tashmë ka kryer disa funksione të rëndësishme në këtë rajon, Lajçak, i cili flet edhe gjuhën serbe, sipas gazetës serbe i plotëson të gjitha kushtet që të jetë i dërguar special i BE’së për rajonin.

    Burime të gazetës Novosti thonë se Lajçak pati një takim të rëndësishëm në Bruksel në fillim të kësaj jave me shefin e ardhshëm të politikës së jashtme të BE’së, spanjollin Josef Borel, me të cilin foli për dy orë.

    Ai në këtë takim i ka vënë në pah Borelit se është e rëndësishme për BE’në që sa më parë të ketë një të dërguar për Ballkanin Perëndimor, pasi SHBA tanimë ka emëruar dy emisarë.

    Ministri i Jashtëm sllovak është një kundërshtar i madh i planit të presidentit francez Macron për të ndryshuar strategjinë e zgjerimit, e cila duhet të vlerësohet dhe, në disa situata, madje të drejtohet në një drejtim tjetër, si një proces i kthyeshëm ose i kundërt.

    Bratislava është një nga ato kryeqytetet që mbrojnë një rrugë më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor për në BE, dhe Lajçak duket se ka gjetur një gjuhë të përbashkët me Borel.

    Ministri sllovak është në favor të integrimit të Ballkanit Perëndimor sa më shpejt të jetë e mundur, sa më shpejt që të përmbushen kërkesat e përcaktuara, duke e konsideruar atë një parakusht për sigurinë e gjithë Evropës.

    Me zgjedhjen e një të dërguari të ri për Ballkanin Perëndimor, i cili do të ishte në krye të rajonit, Brukseli dëshiron të bëhet një lojtar më aktiv në këtë fushë dhe të mos lërë hapësirë ​​për veprim të lirë për Uashingtonin, por as për Moskën dhe Pekinin. /reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!