Bashkimi Evropian e ka cilësuar si sulm “terrorist” dhe akt “sabotimi” sulmin në kanalin ujor të Ibër-Lepencit, i cili rrezikoi furnizimin me ujë dhe energji elektrike për qindra mijëra qytetarë të Kosovës.
Në një deklaratë të Përfaqësuesit të lartë për politikë të jashtme dhe siguri të BE-së, Bashkimi Evropian ka dënuar këtë sulm, teksa ka ofruar mbështetje për autoritetet e Kosovës, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Bashkimi Evropian dënon me shprehjen më të ashpër sulmin terrorist të kryer të premten në kanalin ujor në Ibër Lepenc në Zubin Potok në veri të Kosovës. Është një akt i neveritshëm sabotimi në infrastrukturën kritike civile të Kosovës, e cila siguron ujë të pijshëm për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së Kosovës dhe është një komponent jetik i sistemit energjetik të Kosovës.
BE-ja u ka ofruar mbështetje autoriteteve të Kosovës dhe vazhdon të koordinojë hapat e ardhshëm me partnerët përkatës, duke përfshirë këtu edhe KFOR-in. Misioni civil i BE-së për sundimin e ligjit EULEX po ofron ndihmë për autoritetet e Kosovës në përputhje me mandatin e tij”, thuhet në reagim.
Bashkimi Evropian ka bërë thirrjet që ky akt kriminal të hetohet dhe autorët të sillen para drejtësisë.
“Ne qëndrojmë në solidaritet me të gjithë ata në mbarë Kosovën që janë prekur nga sulmi. Këto mesazhe solidariteti dhe mbështetje ia kam përcjellë drejtpërdrejt kryeministrit Albin Kurti pasditen e sotme.
Veprimi kriminal i kryer në Zubin Potok duhet të hetohet dhe autorët e tij të sillen para drejtësisë. Në këtë aspekt, BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve të interesuara që të bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet e Kosovës dhe do të vazhdojnë të ndjekin nga afër zhvillimet”, thuhet në deklaratë./Reporteri.net/