Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka thënë sot në konferencë se në takimin e së enjtes në Bruksel në nivel të kryenegociatërve fokusi do të jetë në çështjen e dinarit, e jo Asociacioni i komunave me shumicë serbe, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Lidhur me Asociacionin, Stano tha se krijimi i tij është një kërkesë e kahmotshme dhe obligim i Kosovës i cili duhet të dorëzohet urgjentisht, gjë kjo e cila është përsiritur edhe në takimet e nivelit të lartë në Bruksel.
Stano theksoi se nëse Kosova nuk arrin ta realizojë, atëherë kjo gjë s’do të shihet si shenjë pozitive në rrugën drejt normalizimit dhe anëtarësimit të Kosovës në BE.
“Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është një kërkesë e kahmotshme dhe obligim i kahershëm nga ana e Kosovës. Pra, duhet të dorëzohet urgjentisht. Kjo është përsëritur disa herë nga Bashkimi Evropian në takimet e nivelit të lartë, në nivelin e liderëve evropianë. Pra, nëse Kosova nuk arrin ta realizojë këtë, atëherë do ta bëjë, kjo nuk do të shihet si një shenjë pozitive e vullnetit për të vazhduar në rrugën e normalizimit, e cila tani është e lidhur e Kosovës në rrugën e saj të anëtarësimit në BE, tha Stano.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian theksoi se takimi i të enjtes lidhet edhe me takimin e javës së kaluar për dinarin, për të diskutuar pasojat e vendimit të BQK-së lidhur me përdorimin e tij.
“Kjo është një gjë. Gjëja tjetër, takimi i kryenegociatorëve, këtë të enjte në Bruksel është fokusuar në çështje të tjera. Kjo lidhet më së shumti me çështjet që janë diskutuar javën e kaluar dhe një javë më parë në Bruksel, për të zgjidhur kryesisht çështjen e implikimeve apo pasojave të vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës lidhur me përdorimin e dinarit. Asociacioni nuk është realisht një nga temat kryesore, por si çështje është e pranishme në çdo takim në të gjitha ndërveprimet tona, me partnerët tanë në Kosovë sepse ky është një nga kushtet që është vërtet urgjente për t’u plotësuar pa vonesë të mëtejshme”, tha Stano.
Për dinarin, emisari evropian, Miroslav Lajçak pas takimit që patën të hënën e kaluar, ka ftuar sërish për këtë të enjte, kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq për të vazhduar diskutimet për gjetjen e një zgjidhjeje të zbatueshme për njerëzit e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës, derisa takimin e së hënën e ka konsaideruar si të dobishëm, ku palët kanë shprehur qëndrimet e tyre./Reporteri.net/
Çështja e dinarit, Lajçak pret sërish në takim këtë javë Bislimin dhe Petkoviqin