Kandidati i Partisë Demoratike të Kosovës Bedri Hamza ka nisur një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku është pritur në Washington nga Michael Carpenter, asistent special i Presidentit Biden.
Një ditë pas takimeve të rëndësishme në SHBA, Hamza ka treguar se qëllimi i vizitës në SHBA “është përforcimi i pozitës së Kosovës në SHBA por edhe përgatitja për qeverisjen e ardhshme dhe një faqe e re të ri-ndërtimit të marrëdhënieve strategjike pas zgjedhjeve nacionale”.
“Mesazhi kryesor që mora nga takimi me Ambasadorin Michael Carpenter, i cili është asistent special i presidentit Biden si dhe drejtor i lartë për Evropë në Këshillin për Siguri Kombëtare të SHBA-së, ishte i qartë si gjithmonë: “SHBA-ja përkrah sovranitetin, integritetin dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës”. Qeveria amerikane dëshiron të shkojmë edhe më tutje dhe ta realizojmë vizionin tonë të përbashkët për integrim në NATO dhe BE. Mirëpo, mbështetja amerikane kërkon partneritet të vërtetë dhe bashkëpunim dhe koordinim bilateral. Kjo është fundamentale, mbi të gjitha, SHBA-të e konsiderojnë Kosovën si shtet partner. Prandaj, edhe kërkojnë që ne të sillemi në përputhje me këtë relacion, të jemi të koordinuar dhe të bashkëpunojmë ngushtë dhe strategjikisht duke menduar për konsolidimin e Kosovës në rrugëtimin drejt NATO-s. Fatkeqësisht, qeveria jonë e ka reduktuar aleancën tonë, në komunikime të ashpra rreth krizave javore me Serbinë“, tha Hamza në një intervistë dhënë nga Washingtoni, për gazetën Express.
Hamza ka theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleate historike dhe se shtetin e Kosovës e konsiderojnë partner, por sipas tij, Kurti aleancën me Uashingtonin e ka reduktuar në komunikime të ashpra për krizat javore me Serbinë.
I pyetur se si kryetari i Mitrovicës cili është opinioni për çështjen e hapjes së Urës së Ibrit, që e ka paralajmëruar të ndodhë Qeveria e Kosovës, Hamza nga Washingtoni tha se “Ura mbi Ibër duhet të hapet“.
“Ura kryesore e Ibrit është tashmë e hapur për lëvizjen e lirë të qytetarëve, por duhet të hapët edhe për qarkullimin e automjeteve. Megjithatë, mbeten vetëm edhe dy detaje që duhet adresuar: kur dhe si të hapet? Janë po këto ‘detaje’ që e mbajtën të mbyllur atë kaq gjatë“, përcjell gazeta online Reporteri.net të ketë thënë Bedri Hamza për Express.
“Dhe, po, janë po këto detaje të cilat i pranoi edhe Kryeministri, e edhe ministri i tij i brendshëm, që të dytë e pranuan se nuk dinë se si ta bëjnë një gjë të tillë, dhe nuk e kanë as përkrahjen ndërkombëtare. Këtë e kanë ditur edhe përpara, e dinë edhe tash. Sikurse edhe dhjetëra herë më herët, edhe këto ditë po dëshmojmë një ortek të manipulimeve të opinionit publik nga kjo qeveri në shkuarje. Veprimet e tyre në veri s’janë tjetër veçse një farsë e paramenduar propagandistike. Për qëllime të spektaklit elektoral, Albin Kurti sot po përpiqet që së pari t’i mbyllë disa filiale të shërbimeve publike të Serbisë, që mos të diskutojmë dështimet në ekonomi, dështimet në arsim, dështimet në investime kapitale, shkeljet e hatashme të ligjit në prokurime dhe tendera njëburimor. Lista e dështimeve dhe e dëshpërimeve me këtë qeverisje është tepër e gjatë“.
“Po e përsëris, ura mbi Ibër duhet të hapet“, tha Hamza, mirëpo, – shton ai “jo duke i rrënuar të gjitha urat tjera me botën, me partnerët dhe me bashkëqytetarët tonë në veri“.
“Ura duhet të hapet si simbol i bashkëpunimit me qytetarët dhe aleatët tonë. Kështu siç po vepron kjo qeveri e papërgjegjshme, po rrezikojmë që ajo të mbetet e mbyllur edhe për një kohë shumë të gjatë. Albin Kurti nuk po e hap dot urën, veç sa po e cementon prezencën e NATO-s mbi atë urë. Nuk po forcohet sovraniteti por Qeveria e Kosovës pe kthen KFOR-in dhe EULEX-in dhe po e kthen Rezolutën 1244. Ky është zhvillim për keqardhje“. /Reporteri.net/.