Kandidati për kryeministër nga PDK, Bedri Hamza, ka folur në emisionin Pressing në T7 lidhur me vizionin e tij për bashkimin e qytetarëve dhe qasjen e tij ndaj gjuhës së përdorur nga Qeveria aktuale.
Ai ka theksuar se për të, njerëzit nuk ndahen në të mirë dhe të këqij bazuar në përkatësinë politike, por se të gjithë duhet të trajtohen barabart në momentin që ai merr drejtimin e institucioneve.
“Unë jam i bindur se në çdo parti ka njerëz të mirë dhe njerëz që e duan Kosovën. Nuk i ndaj njerëzit – ata që janë me mua janë të mirë, e ata që s’janë me mua janë apriori njerëz të këqij. Mirëpo, në momentin kur e merr pozitën dhe kryeson institucionin, i shërben të gjithë qytetarëve pa dallim. Aty bie flamuri partiak, hyn flamuri shtetëror, flamuri institucional. Brenda institucionit sillesh si institucionalist,” – tha Hamza.
Ai siguroi qytetarët se do ta kenë përkrahjen e tij, pavarësisht se a e votojnë apo jo.
“Qytetarët do ta kenë mbështetjen e plotë dhe trajtimin e njëjtë – edhe ata që më votojnë dhe ata që s’më votojnë. Ne kemi nevojë për pluralizëm politik, kemi nevojë për mendim ndryshe, mirëpo nuk kemi nevojë që të konsiderohemi, larg qoftë, armiq mes veti. Jemi oponentë politikë, mirëpo jemi njerëz të këtij vendi dhe vendin tonë e duam,” – shtoi ai.
Deklaratat e Hamzës vijnë në kohën kur ai synon të fitojë besimin e qytetarëve për të udhëhequr qeverinë e ardhshme, duke theksuar nevojën për unitet.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.