Bënte blerjen dhe shitjen e marihuanës, dënohet me 2 vjet burg

Me dy vjet burgim është dënuar i pandehuri me inicialet V.K për veprën penale blerje, posedim dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve.


Sipas, Gjykatës Themelore në Pejë, i dënuari muaj më parë kishte marrë me qira një veturë me qëllim të transportimit të narkotikëve. I njëjti është përcjellë nga policia dhe pas kontrollit, në automjet i janë gjetur tetë paketime me Marihuan.

Njoftimi i plotë i Gjykatës:

Gjykata Themelore në Pejë shpall aktgjykim dënues për vepër penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve substancave psikotrope dhe analoge

06.05.2019 – Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallë aktgjykim dënues ndaj të pandehurit V.K.

Të pandehurin V.K,gjykata e shpalli fajtor për shkak se me datë 06.02.2019, rreth orës 13:50, në magjistralen Pejë – Mitrovicë, pikërisht në fshatin Staradran, Komuna Istog, me automjetin e marrë me qira, pa autorizim e me qëllim shitjeje transporton narkotik të llojit “Marihuan” me peshë bruto prej 26.371.3 kg, në atë mënyrë që gjatë patrullimit të policisë, të njëjtit vërejnë të pandehurin dhe e përcjellin në distancë prej 3 km ku në një moment edhe fillon të largohet me vrull, por pas një kohe të shkurtër ndalohet dhe pas kontrollimit të automjetit, në bagazh gjenden tetë (8) paketime të mbështjella me ngjitës izolues me ngjyrë kafe me substancë narkotike të llojit “Marihuan”.

Ndaj të pandehurit gjykata shqiptoj dënim me burgim në kohëzgjatje prej dy (2) vite, e në të cilin dënim me burg i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, dënim me gjobë në shumë prej dy mijë (2.000) euro si dhe dënim plotësues konfiskim i substancës narkotike.

I pandehuri është obliguar që në emër të shpenzimeve të procedurës penale, gjykatës të ia paguaj shumën prej pesëdhjetë euro (50) €, në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor shumën prej pesëdhjetë euro (50) €, si dhe në emër të kompensimit për viktimat e krimit shumën prej pesëdhjetë (50) euro.

Pas shpalljes së aktgjykimit të pandehurit i është ndërprerë paraburgimi dhe i njëjti është lëshuar të mbrohet në liri dhe është detyruar që deri në përfundim të procedurës ta njoftoj gjykatën për çdo ndryshim të adresës.

Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit