Zëvendëskryeministri i parë për Integrime Evropiane, Zhvillim Ekonomik dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka bërë një përmbledhje të 100 ditëshit të tij në Qeverinë Kurti 2.
Ai ka bërë një raportim të detajuar për punën, e cilësuar sipas tij të mirë, për procesin e dialogut.
“Tek pjesa e dialogut angazhimi i parë ka qenë drejt krijimit të një memorie institucionale në procesin e dialogut ku jemi marrë me grumbullimin e dokumenteve nga burime të ndryshme me qëllim që të krijojmë një dosje zyrtare sistemike për rrjedhën e procesit dhe veprimet që janë ndërmarrë deri tani në këtë proces, si dhe kemi përpiluar një raport të gjendjes aktuale në bazë të informatave të përditësuara të cilin e kemi dërguar te deputetët. Jemi angazhuar po ashtu në arritjen e parimeve fillestare dhe qëndrimeve të përbashkëta me palët e interesit në procesin e dialogut, si p.sh një mbledhje që kam pasë me shoqërinë civile qëllimi I së cilës ka qenë absorbimi i pikëpamjeve të disa prej organizatave joqeveritare më të angazhuara në proces të dialogut dhe kemi caktuar mbledhje të rregullta me shoqërinë civile me qëllim të përfshirjes së tyre më të madhe në këtë proces”.
Bislimi ka thënë se kjo qeveri është e përkushtuar që të informojë publikun dhe strukturat politike me të gjitha zhvillimet në dialog.
“Kemi pasë edhe vizita speciale të përfaqësuesit të BE-së dhe atij të Amerikës, Mirosllav Lajçak dhe Matthew Palmer, një vizitë që kishte për qëllim të transmetojë mesazhin e unitetit mes BE-së dhe Amerikës, si dhe përkrahjen e madhe të SHBA-së për Kosovën në procesin e dialogut. Kemi pasë edhe një seancë parlamentare ku kemi diskutuar për ecurinë e deritanishme të procesit të dialogut dhe kjo është dëshmi e dedikimit të qeverisë tonë në informimin paraprak të popullit dhe strukturave politike të Kosovës për diskutimet në negociata me Serbinë. Unë kam raportuar edhe në Komisionin për Politikë të Jashtme”.