Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka bërë me dije se Ligji për Zyrtarët Publikë nuk mund të hyjë në fuqi dhe as të prodhojë efekte juridike deri në vendimin final të Gjykatës Kushtetuese .
Ai është shprehur i bindur se ky ligj është anti-kushtetues.
Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se përmes logjikës së numrave kjo qeveria po synon thyerjen e kurrizit të administratës publike, shkruan Reporteri.net.
Postimi i tij i plotë:
Qeveritë shkojnë e vijnë, administrata shtetërore duhet të mbesë!
Njoftimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese për Kuvendin se Ligji për Zyrtarët Publik nuk mund të dekretohet, nuk mund të hyjë në fuqi dhe as të prodhojë efekte juridike deri në vendimin final të Gjykatës, është një lajm shumë inkurajues.
Ky është një epilog logjik dhe demokratik kundër qasjes së këtij establishmenti që përmes logjikës së numrave dhe dominimit, po synon thyerjen e kurrizit të administratës publike dhe rrënimin e karierës profesionale në shtet. Po të ishim pjesë e Këshillit të Evropës, kjo qeveri do të ishte lidere evropiane në shkeljet e kushtetushmërisë, rendit dhe ligjit, si dhe të drejtave të njeriut!
E kam thënë në Kuvend shumë herë se nuk mund të bëhet asnjë reformë e administratës shtetërore duke shkelur kushtetutën e vendit tonë, duke shkelur rëndë dhe pamëshirshëm të drejtat e njeriut, duke shkelur çdo parim të SIGMA-s dhe të Bashkimit Evropian dhe duke shkelur edhe vetë MSA-në e Kosovës me BE-në. Qeveritë shkojnë e vijnë, administrata shtetërore duhet të mbesë. Ligji për Zyrtarët Publik fatkeqësisht në mënyrë flagrante i shkel rëndë të gjitha këto!