Bashkësia Islame e Kosovës njofton se sot një pjesë e hytbesë së xhumasë iu kushtua vrasjes së rreshterit Muhamed Lika.
Në njoftim thuhet se aty u dënua fuqishëm akti i vrasjes së policit dhe ish ushtarit të UÇK-së.
BIK thotë se ky krim po përpiqet të justifikohet përmes narracionit fetar, siç thonë ata metodë kjo e përsëritur nga “grupe kriminale kudo në botë”.
“Disa e shfrytëzojnë dhe e keqpërdorin flamurin kombëtar, të tjerë maskohen pas parimeve fetare, humanitare, apo idealeve “të larta”, duke e keqpërdorur ndjenjën kolektive për t’i legjitimuar mizoritë dhe veprimet e tyre të papranueshme dhe të dënueshme kriminale”, thekson BIK në njoftim.
BIK tutje thotë se krimi nuk ka fe, komb, dhe as parim. Bashkësia Islame bën thirrje që të mbështeten institucionet e Kosovës në zbardhjen e rastit dhe vendosjen e drejtësisë në vend.
“Krimi nuk njeh ideal. Ai nuk ka fe, komb dhe as parim. Njerëzit e tillë kriminelë përdorin maska të shumta. Andaj, është detyrë e gjithë neve – në radhë të parë e institucioneve, shoqërisë civile dhe e gjithë qytetarëve që t’i demaskojmë këta njerëz dhe të mos lejojmë që plagët e shoqërisë të shfrytëzohen nga at që synojnë destabilizimin dhe dëmtimin tonë dhe të vendit tonë. Zëri i ligjit dhe i drejtësisë duhet të jetë më i fortë se çdo përpjekje për ta sabotuar atë. Të gjithë duhet t’i mbështesim institucionet tona në zbardhjen e rastit dhe vendosjen e drejtësisë në vend. Prandaj, konsiderojmë se prononcimi i hershëm për rastin, si dhe përpjekjet për ta lidhur krimin makabër, për kinse motive fetare, më së shumti i shkon për shtati atyre që e kanë kryer atë. Në fakt, synimi parësor i tyre mbetet mbulimi i krimit me narrativa të rrejshme, në këtë rast në emër të fesë së pastër islame. Mënyra më e mirë për t’i mbështetur institucionet është që të përcillen deklarimet zyrtare. Secili raportim tjetër dhe tendencat për ta hetuar rastin – në forma të ndryshme nga institucionet dhe mekanizma – që nuk e kanë mandat këtë, mund të cenojnë seriozisht hetimet, arrestimin e të dyshuarve të tjerë, epilogun e rastin dhe interesat e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë i lëshuar nga BIK:
Me rekomandim të kryetarit të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiut Naim ef. Tërnava, sot, një pjesë e hytbesë së xhumasë iu kushtua vrasjes së eprorit të Policisë së Kosovës, z. Muhamed Lika.
Gjatë kësaj hytbe, u dënua fuqishëm akti i vrasjes së ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njëherësh eprorit të Policisë së Kosovës, duke bërë apel institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë që sa më parë të zbardhen rrethanat e vrasjes, si dhe kryesit e këtij krimi të marrin dënimin e merituar.
Më poshtë gjeni tekstin e plotë të hytbesë:
Të dashur vëllezër besimtarë!
Vrasja e eprorit të Policisë së Kosovës, njëherësh ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, z. Muhamed Lika, ishte një akt tronditës dhe thellësisht i dënueshëm, i cili ka goditur jo vetëm rendin dhe sigurinë publike, por edhe vetë shtyllën morale të shoqërisë dhe vendit tonë.
Ajo çfarë e bën edhe më të rrezikshëm këtë krim, është përpjekja për ta justifikuar atë përmes narracionit fetar – metodë kjo e njohur dhe e përdorur në mënyrë të përsëritur nga grupe të ndryshme kriminale, kudo në botë.
Disa e shfrytëzojnë dhe e keqpërdorin flamurin kombëtar, të tjerë maskohen pas parimeve fetare, humanitare, apo idealeve “të larta”, duke e keqpërdorur ndjenjën kolektive për t’i legjitimuar mizoritë dhe veprimet e tyre të papranueshme dhe të dënueshme kriminale.
Të dashur besimtarë!
Krimi nuk njeh ideal. Ai nuk ka fe, komb dhe as parim. Njerëzit e tillë kriminelë përdorin maska të shumta. Andaj, është detyrë e gjithë neve – në radhë të parë e institucioneve, shoqërisë civile dhe e gjithë qytetarëve që t’i demaskojmë këta njerëz dhe të mos lejojmë që plagët e shoqërisë të shfrytëzohen nga at që synojnë destabilizimin dhe dëmtimin tonë dhe të vendit tonë.
Zëri i ligjit dhe i drejtësisë duhet të jetë më i fortë se çdo përpjekje për ta sabotuar atë. Të gjithë duhet t’i mbështesim institucionet tona në zbardhjen e rastit dhe vendosjen e drejtësisë në vend.
Prandaj, konsiderojmë se prononcimi i hershëm për rastin, si dhe përpjekjet për ta lidhur krimin makabër, për kinse motive fetare, më së shumti i shkon për shtati atyre që e kanë kryer atë.
Në fakt, synimi parësor i tyre mbetet mbulimi i krimit me narrativa të rrejshme, në këtë rast në emër të fesë së pastër islame.
Mënyra më e mirë për t’i mbështetur institucionet është që të përcillen deklarimet zyrtare.
Secili raportim tjetër dhe tendencat për ta hetuar rastin – në forma të ndryshme nga institucionet dhe mekanizma – që nuk e kanë mandat këtë, mund të cenojnë seriozisht hetimet, arrestimin e të dyshuarve të tjerë, epilogun e rastin dhe interesat e Kosovës.
Të nderuar besimtarë!
Bashkësia Islame e Kosovës, me të gjitha institucionet e saj, edhe njëherë dënon ashpër këtë vrasje, duke i shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe kolegëve të policit Muhamed Lika, njëherësh, kërkon dhe u bën apel institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë që sa më parë të zbardhen rrethanat e vrasjes, si dhe kryesit e këtij krimi të marrin dënimin e merituar.
Lutemi që krimet e tilla të vrasjeve të mos përsëriten më asnjëherë në vendin tonë!