×
  • Lajme
  • Lajme

    BIK shpall zgjedhjet nëpër komuna

    Reporteri
    13 Janar 2020 | 12:05

    Fundi i janarit do të jetë zgjedhor në BIK. Të gjitha Bashkësitë Islame nëpër komuna, shumë shpejtë, do të kenë drejtues të rinj.


    Bashkësia Islame e Kosovës në fillim të vitit 2020 ka shpallur zgjedhjet në nivele lokale.

    Myftiu Naim Tërnava me 4 janar të këtij viti ka nënshkruar vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të kuvendeve zgjedhore të delegatëve për zgjedhjen e anëtarëve të këshillave të Bashkësisë Islame të Kosovës.

    Mandati i tyre do të jetë katër vjeçar, dhe kjo potencohet në vendimin e siguruar nga Gazeta Online “Reporteri.net”.

    Kuvendet zgjedhore do të mbahen për katër ditë rresht, nga 27 janari deri më 30 janar 2020.

    Lipjani, Ferizaj, Kaçaniku, Hani i Elezit, Vitia, Drenasi dhe Skenderaj do të jenë komunat e para që do të zgjedhin Kuvendet zgjedhore për zgjedhjen e anëtarëve të ri të Këshillave të Bashkësisë Islame.

    Procesi zgjedhor në Bashkësitë Islame të këtyre komunave do të mbahet më 27 janar, për të vazhduar pastaj i njëjti proces më 28 janar 2020 në Mitrovicë, Podujevë, Vushtrri, Obiliq, Fushë Kosovë, Malishevë dhe Shtime. Më 29 janar 2020 kuvendet zgjedhore do të zgjedhin anëtarët e këshillave të Bashkësive Islame në Prishtinë, Pejë, Klinë, Istog, Deçan, Gjakovë dhe Rahovec.

    Derisa më 30 janar votohet në Bashkësitë Islame në Prizren, Dragash, Gjilan, Kamenicë, Suharekë, Bujanoc dhe Preshevë, shkruan Reporteri.net. Dy të fundit, komuna që ndodhen në territorin e Serbisë por që funksionojnë në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës.

    Me zgjedhjen e Kuvendeve Zgjedhore, delegatet e tyre do të pasojnë me zgjedhjen e anëtarëve të Këshillave të BIK-ut nëpër secilën komunë. E më pas, zgjedhën edhe drejtuesit e Bashkësive Islame nëpër secilin qytet të Kosovës dhe në Preshevë e Bujanovc.

    Nga ky proces zgjedhorë nuk do të ketë ndryshim të kryemyftiut të BIK-ut, pasi mandati i Naim Ternaves vazhdon dhe rizgjedhja e tij në krye të Bashkësisë Islame të Kosovës ishte bërë në procesin zgjedhorë të vitit 2018. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!