Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi i është përgjigjur kërkesës së bashkësisë ndërkombëtare për shtyrjen e vendimit të BQK-së, duke thënë se “asnjë nga këto kërkesa nuk e vënë në dyshim ligjmërinë e rregullores së miratuar, shkruan Reporteri.net.
Bislimi në konferencën për media tha se BQK është institucioni i vetëm që dizajnon dhe zbaton politikën monetare në vend.
Tutje ai euro ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë e vetmja valutë zyrtare në përdorim në Republikën e Kosovës.
“Asnjë nga kërkesat e palëve të involvuara, sidomos kjo vlen për miqt tanë ndërkombëtarë, nuk e vë në dyshim ligjmërinë e rregullores të miratuar nga BQK. Nuk e vë në dyshim që as fakti që BQK është institucioni i vetëm që dizajnon dhe zbaton politikën monetare në vend. Nuk e vë në dyshim që BQK është e pavarur dhe me këtë dizanjnim i nënshtrohet vetëm Kushtetutes sonë dhe standardeve më të avancuara ndërkombëtare që rregullojnë sistemin e pagesave. Nuk e kontestojmë që euro ka qenë dhe vazhdon të jetë e vetmja valutë zyrtare në përdorim”, shtoi Bislimi.
QUINT-i ka thënë se kjo çështje duhet të diskutohet më tej në kuadër të Dialogut.
Tutje në deklaratë ata theksojnë se janë të shqetësuar për ndikimin e rregullores në veçanti në shkolla dhe spitale.
Deklarata e ambasadave të Quint-it për rregulloren e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), 28 janar, 2024
Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara theksojnë se rregullorja e fundit e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për operacionet me para të gatshme, e cila synon të reduktojë paratë e falsifikuara, të ruajë stabilitetin financiar, si dhe të rrisë transparencën e flukseve të parasë në Kosovë, megjithatë ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në veçanti në komunitetet me shumicë serbe.
Ne jemi të shqetësuar për ndikimin e rregullores në veçanti në shkollat dhe spitalet, për të cilat asnjë proces alternativ nuk duket i zbatueshëm për momentin. Rregullorja gjithashtu do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës dërrmuese të serbëve të Kosovës që marrin pagesa/ndihma financiare nga Serbia.
Pas një shkëmbimi për këtë çështje me Kryeministrin të premten, Quint-i kërkon pezullimin e zbatimit të rregullores për të mundësuar një periudhë të mjaftueshme tranzicioni dhe për komunikim të qartë dhe efektiv publik. Çështja duhet të diskutohet më tej në kuadër të Dialogut të Lehtësuar nga BE-ja.