×
  • Lajme
  • Lajme / Dialogu

    Bislimi e akuzon Petkoviqin për deklarata të rreme pas takimit në Bruksel

    Reporteri
    13 Qershor 2025 | 7:38

    Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka akuzuar kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, për shkelje të marrëveshjes së arritur gjatë takimit trilateral të së martës në Bruksel, duke e akuzuar për deklarata të rreme dhe shtrembërim të qëllimshëm të përmbajtjes së diskutimeve.

    Në një letër të publikuar në platformën “X”, Bislimi tha se në fillim të takimit ishte arritur pajtim që gjatë konferencave për media të komunikohen informacione të sakta dhe të qarta mbi përmbajtjen e diskutimeve.

    Sipas tij, Petkoviq ishte zotuar se nuk do ta keqpërdorte daljen para mediave për të adresuar çështje që nuk janë diskutuar dhe për të mos shtrembëruar diskutimet.

    Por, Bislimi theksoi se ky zotim u shkel shumë shpejt.

    “Për fat të keq, u deshën më pak se 30 minuta për të dëshmuar dështimin e tij në të dy zotimet”, shkroi Bislimi.

    Petkoviç, në konferencën për media pas takimit, deklaroi se pala serbe ka insistuar në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe se ka paraqitur një plan për de-eskalim të situatës në veri të Kosovës.

    Në reagimin e tij, Bislimi tha se këto deklarata janë mashtruese dhe kanë për qëllim manipulimin e opinionit publik serb.

    “E konsideroj të nevojshme të informoj publikun për deklaratat mashtruese të bëra nga Kryenegociatori i Serbisë, z. Petar Petkoviç, të cilat qëllimisht mashtrojnë publikun serb në lidhje me diskutimet në takimin trepalësh”, thuhet në letrën e Bislimit.

    Kryenegociatori i Kosovës theksoi gjithashtu se pala kosovare ka shprehur gatishmëri për të diskutuar në mënyrë konstruktive mbi temat e parashtruara nga emisari i BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, por, sipas tij, Serbia ka refuzuar agjendën e dakorduar dhe ka tentuar të imponojë një rend tjetër të çështjeve.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!