×
  • Lajme
  • Lajme

    Bislimi e Aliu në Mal të Zi, diskutojnë për rrugët Pejë-Rozhajë dhe Deçan-Plavë

    Reporteri
    23 Shkurt 2023 | 21:27
    Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministri Liburn Aliu në takim me zëvendëskryeministri malazez, Ervin Ibrahimoviq

    Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, janë pritur sot në Podgoricë për takim nga zëvendëskryeministri malazez, Ervin Ibrahimoviq.

    Në njoftimin e ZKM-së, thuhet se palët kanë diskutuar për projektet e përbashkëta, mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik, tejkalimin e barrierave ekzistuese dhe lehtësimin e procedurave administrative.

    “Zëvendëskryeministri Bislimi foli rreth procesit të integrimit evropian pas edhe aplikimit për anëtarësim në muajin dhjetor, duke vlerësuar mbështetjen e Malit të Zi për rrugëtimin evropian të Kosovës. Nga Mali i Zi mund të përfitojmë bashkërisht nga eksperienca në proces dhe të ecim drejt objektivit të përbashkët të aderimit në familjen evropiane. Kosova dhe Mali i Zi përkasin në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftimin zyrtar.

    Në takim janë diskutuar edhe dy projektet infrastrukturore, rrugët Pejë-Rozhajë dhe Deçan-Plavë.

    “Në takim u bisedua dhe në lidhje me projektet infrastrukturore ku Ministri Aliu shprehu se do të punojmë me intensitet për të avancuar dhe çuar para ndërtimin e rrugëve Pejë-Rozhajë dhe ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë, projekte këto të shumëpritura për qytetarët e të dyja vendeve, me rëndësi madhore për infrastrukturën dhe ekonominë, projekte kombëtare që lehtësojnë ndërlidhjen e qytetarëve të Kosovës me Malin e Zi”, thuhet në fund.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!