×
  • Lajme
  • Lajme / Siguria

    Bislimi e njofton ndihmëssekretarin e OKB-së për veprimet destruktive të Serbisë: Avionët luftarakë serbë fluturojnë përreth kufirit me Kosovën

    Reporteri
    21 Qershor 2024 | 14:15

    Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi është takuar me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm për Evropën, Azinë Qendrore dhe Amerikën, Miroslav Jenca.

    Përgjatë takimit, zëvendëskryeministri Bislimi e njoftoi atë me situatën në vend e rajon dhe çështjen e dialogut me Serbinë.

    Sipas njoftimit, zëvendëskryeministri  Bislimi e njoftoi Ndihmës Sekretarin Jenca me zhvillimet e fundit, duke shprehur konstruktivitetin dhe angazhimin e vazhdueshëm të palës sonë në këtë proces, i cili fatkeqësisht është përballur me destruktivitetin dhe mungesën e vullnetit e gatishmërisë për hapa tutje e zbatim të marrëveshjeve nga ana e palës tjetër.

    Mbi qasjen destruktive dhe kërcënimin e vazhdueshëm që Serbia paraqet për Kosovën, zëvendëskryeministri rikujtoi se, fqinji ynë verior ka 48 baza të përparme operacionale përreth kufirit me Kosovën, në vazhdimësi mban ushtrime e stërvitje të mëdha ushtarake pak kilometra larg kufirit me shtetin tonë dhe fluturon avionët luftarakë MIG 29 përreth kufirit.

    Sipas komunikatës, Bislimi po ashtu theksoi se vendi po avancon e zhvillohet me ritëm të shpejtë, pavarësisht barrierave me të cilat po përballemi. “Sipas të dhënave më të fundit dhe nga ASK-ja, tremujori i parë i këtij viti ka shënuar rritje ekonomike në nivelin 5.62%. Edhe projeksionet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar për vitet e ardhshme, si dhe rankimet ndërkombëtare të Kosovës në shumë fusha, qëndrojnë si dëshmi e progresit të vendit tonë”, tha Bislimi.

    Zëvendëskryeministri Bislimi shtoi se rritja e BPV-së, rritja e punësimit, sundimi i ligjit, integrimi në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, janë synime qenësore për Qeverinë.

    Ndihmës Sekretari Jenca po zhvillon një tur ballkanik, ndalesë e radhës e së cilës është vendi ynë, ku do të qëndrojë në një vizitë dy ditore. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!