×
  • Lajme
  • Lajme / Dialogu

    Bislimi e Petkoviq sot Bruksel për “zbatimin urgjent” të marrëveshjes

    Reporteri
    02 Korrik 2024 | 7:17

    Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, do të takohen sot në Bruksel në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

    Zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano, tha se prioritet në takim do të jetë “nisja urgjente e zbatimit të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve“.

    Ndërkaq, emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak i ka cilësuar si shumë sfiduese bisedimet e javës së kaluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Kurti dhe Vuçiqi nuk u takuan për shkak të kushteve që vendosi Kurti për këtë takim, teksa Lajçaku është shprehur se nuk ka pasur progres në implementimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit.

    “Javën e kaluar, Borrell dhe unë mirëpritëm presidentin Vuçiq dhe kryeministri Kurti në Bruskel për një tjetër takim të dialogut Beograd-Prishtinë”.Fatkeqësisht nuk pamë asnjë progres në implementimin e Marrëveshjes së Normalizimit. Diskutimet ishin më sfiduese se kurrë. Sidoqoftë, puna jonë do të vazhdojë nesër kur unë do të mbledhë kryenegociatorët për të punuar në hapat konkret në zhbllokimin e implementimit të marrëveshjes”, ka shkruar Lajçak.

    Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, kishte konfirmuar se në Bruksel nuk është mbajtur takim trepalësh, duke theksuar se Kosova nuk ishte e gatshme për një takim të tillë.

    Ai tha se gjatë takimeve dypalëshe Kurti paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.

    “E para, formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve. E dyta, tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023. Dhe e treta, dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës”, tha Borrell gjatë një konference për media. /Reporteri.net.

    Lajçaku: Bisedimet e javës së kaluar ishin më sfiduese se kurrë

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!