Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka zbuluar detaje të tjera nga takimi që pati të martën me drejtorin e të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në qeverinë e Serbisë, Petar Pekoviq.
Bislimi tha se në takim, ideja e emisarit Miroslav Lajçak ishte që të ketë një sekuencim të zbatimit të obligimeve në mënyrë që të mos krijohet disbalanc, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Në pjesën e parë, pjesa më e madhe e diskutimit ka pasur të bëjë me hapat që duhet të ndërmarrim në ditët në vazhdim dhe që burojnë nga marrëveshja bazike dhe aneksi implementues, për shembull kemi diskutuar për sekuencimin. Është propozuar një princip sipas të cilit nuk mund të fillohet implementimi i të gjitha pikave njëherësh për arsye se kjo do të mund të krijonte një disbalanc ku njëra palë merr shumë dhe nuk është e detyruar të ofrojë diçka, por ideja e Lajçakut është që të ketë sekuencim, pra njëra palë bën diçka pastaj pala tjetër”, ka thënë Bislimi në një intervistë për Kallxo.
Ai tha se, deri të premten, të dy palët do të dërgojnë komentet e tyre rreth këtij sekuencimi.
“Këtu nuk mund të themi që Kosova po bën diçka apo Serbia por të dyja palët. Jemi dakorduar që deri të premten t’i dërgojmë komentet e tona lidhur me sekuencimin dhe në bazë të këtyre komenteve del drafti tjëtër, ku do të takohemi prapë edhe do të dakordohemi”, u shpreh ai.
Takimi në nivel kryenegociatorësh u zhvillua të martën, në Bruksel, ku Bislimi dhe Petkoviq diskutuan për marrëveshjen e Ohrit, fatin e të pagjeturve, dhe për tema të tjera si ajo e energjisë dhe çështjes së targave. /Reporteri.net/.