Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi ka thënë se kryeministri Avdullah Hoti, në votimin e projektligjit për rimëkëmbje ekonomike nuk ka arritur t’i bind as partnerët e koalicionit, AAK, NISMA dhe Lista Serbe, për çka thekson se do të ishte e palogjikshme që Lëvizja Vetëvendosje të përkrah një projektligj i cili është krejtësisht i gabuar.
“Ne e kemi pas pakon tonë të rimëkëmbjes, të themi figurativisht, ne e kemi pasur trenin që e kemi nisur në drejtim të Pejës përshembull, Avdullah Hoti me grupin e tij ka thënë jo, kjo është gabim, ne mendojmë që i duhet një pako tjetër e rimëkëmbjes – treni duhet të nisët në drejtim të Merdares dhe unë kam mbështetje të rimëkëmbjes, i kam vëllezërit e mi të rinjë AAK, NISMEN dhe Listën Serbe, do të thotë unë i kam votat e mjaftueshme për me shty këtë pako të rimëkëmbjes, tani po del që Avdullah Hoti nuk ka arrit me i bind as vëllezërit e vet që pakoja e tij është e mirë dhe po thotë që nuk po mund t’i bindi partnerët e koalicionit, më ndihmoni ju të shkoj në drejtimin e gabuar. Kish me qenë e pa logjikshme në qoftë se LVV-ja për një projekligj që është krejtësisht i gabueshëm me i thanë po edhe ne po të japim një shtytje, vazhdo dëmtoje ekonominë”, ka thënë ai.
Bislimi në Debat Plus në RTV Dukagjini, ka shtuar se LVV-ja nuk bëhet pjesë e kësaj ideje për votimin e këtij ligji që sipas tij vetëm rimëkëmbje nuk është.
“Kishte me qenë e pa logjikshme që LVV të bëhet pjesë e kësaj ideje për votimin e këtij ligji që faktikisht vetëm rimëkëmbje nuk është. Në qoftë se e lexon projektligjin ka vetëm një term që e definon, ligji është pandemia, do të thotë ky ligj na tregon çka është pandemia dhe COVID-19, por nuk na tregon çka është rimëkëmbja ekonomike dhe nëse e sheh ligjin është sikur një hartim i vogël i nxënësve dhe absolutisht nuk ka asnjë element brenda që ne mendojmë që kish me ndihmu ekonominë me u ringjallë. Unë mendoj që edhe Qeveria e din këtë element dhe kjo është arsyeja që nuk po brengosen a kalon a jo, për aq kohë sa nuk kalon Qeveria mundet me përdor një argument, ja opozita nuk po mi voton, po në fakt Qeveria e di që në momentin e aprovimit të këtij ligji dalin në shesh të gjitha mangësitë e tij dhe duket qartazi që ky ekip i akademikëve të ekonomisë ka aprovuar një dokument krejtësisht të pa vlerë”, ka thënë ai.