×
  • Lajme
  • Lajme

    Bislimi: Kemi pranuar planin e BE-së, por normalizimi i plotë bëhet me njohje reciproke

    Reporteri
    28 Shkurt 2023 | 10:17

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, sot ka mbajtur një diskutim para eurodeputetëve në Komitetin për Politika të Jashtme të Parlamentit Europian (AFET) në Bruksel.

    “Kemi treguar zotim, gatishmëri dhe konstruktivitet gjithashtu në procesin e dialogut ku sapo jemi pajtuar me propozimin e BE-së dhe negociatat për zbatimin e tij do të pasojnë së shpejti. Ne besojmë që normalizimi i plotë i marrëdhënieve kërkon njohje reciproke si pikë qendrore e marrëveshjes dhe respektim të së drejtave të minoriteteve në të dyja vendet”, tha Bislimi.

    Ai tha se Kosova është e gatshme që të bëjë hapa shtesë për të intensifikuar përpjekjet e saj për t’u afruar me Brukselin, derisa shtoi se Kosova është një shembull në Ballkanin Perëndimor. Këtu ai përmendi edhe ratifikimin në Kuvend të marrëveshjeve që kanë dalë nga Procesi i Berlinit.

    “Ne e kemi dëshmuar që vendi ynë qëndron për bashkëpunim të suksesshëm rajonal dhe për përparim të zbatimit për tregun e përbashkët dhe mezi presim që vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor të aprovojnë ato”.

    Në fund, Bislimi tha se siguria dhe paqja në rajon dhe në gjithë Europën është një domosdoshmëri. Këtë ai e përcolli me një mesazh të Kosovës për eurodeputetët.

    “Jemi në gjendje që të bëjmë progres përkundër të gjitha sfidave dhe pengesave. Zotimet tona mbesin të njëjta. Mesazhi i Kosovës është shumë i zëshëm dhe i qartë: Europa është e tashmja, Europa është e ardhmja. Zëri ynë duhet të dëgjohet”.

    Për këtë raportim të Bislimit ka njoftuar edhe Komiteti për Politika të Jashtme i Parlamentit Europian.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!