×
  • Lajme
  • Lajme

    Bislimi pret në takim lamtumirës ambasadoren e Holandës, e falënderon për mbështetjen që ia dha Kosovës

    Reporteri
    24 Qershor 2024 | 13:58

    Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, priti sot në një takim lamtumirës ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo.

    Në njoftimin për media thuhet se fillimisht, zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi ambasadoren për kontributin, punën dhe përkrahjen e saj të vazhdueshme përgjatë viteve të fundit ndaj Republikës së Kosovës, veçanërisht në progresin, zhvillimin dhe rrugëtimin drejt integrimit evropian të vendit tonë.

    Ai vlerësoi lartësisht bashkëpunimin e ngushtë me ambasadoren në këto tri vite. Së bashku, përshkuan zhvillimet e ndodhura gjatë kësaj periudhe dhe situatën në vend e rajon, si dhe trajtuan perspektivat për të tashmen dhe të ardhmen. Ambasadorja cilësoi si një prej momenteve më të veçanta në mandatin e saj liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

    “Diskutuan dhe mbi përkushtimin e palëkundur të Kosovës në procesin e integrimit evropian, dhe përgatitjet e vendit tonë në kuadër të Planit të Rritjes si instrument i rëndësishëm në përkrahjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt BE-së. Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se Kosova është vendi i parë i cili ka dërguar drejt Komisionit Evropian draftin e narrativit dhe agjendën e reformave, duke dëshmuar jo vetëm nivelin e përgatitjes, por edhe vullnetin dhe gatishmërinë për hapa të rëndësishëm tutje”, theksohet në njoftimin e ekzekutivit.

    Tutje thuhet se zëvendëskryeministri Bislimi shprehu mirënjohjen e tij për bisedat e shumta produktive e konstruktive, zhvillimin dhe fuqizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Holandës si dhe i uroi ambasadores suksese të mëtejme në angazhimet e radhës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!