×
  • Lajme
  • Lajme / Thellimi i bashkëpunimit

    Bislimi takon Hasanin, flasin për bashkëpunimin Kosovë – Shqipëri

    Reporteri
    16 Janar 2024 | 20:10

    “Kënaqësi të takohemi e të thellojmë angazhimin e përkushtimin tonë për bashkëpunim sa më të ngushtë”. Kështu u shpreh Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, në takimin ku mirëpriti Ministrin për Evropë dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani.

    Gjatë bisedës, zëvendëskryeministri Bislimi vuri në pah bashkëpunimin ndërqeveritar, i cili ka njohur zbatim të plotë dhe efektiv të pothuajse të gjitha marrëveshjeve të arritura gjatë kësaj qeverisjeje. Marrëveshjet tashmë të zbatuara kanë kontribuar pozitivisht në arsim, kulturë, shëndetësi, infrastrukturë e bashkëpunim ndërkufitar të frytshëm mes shumë të tjerash.

    Ministri Hasani iu bashkëngjit këtij konstatimi duke theksuar intensifikimin e vëllimit tregtar mes Kosovës dhe Shqipërisë, i cili është rritur për 100 milionë euro vetëm vitin e kaluar.

    Më tej, u diskutua rreth sfidave të përbashkëta ku mund të bashkëpunojmë akoma më shumë, si integrimi evropian, mirëpo edhe në fushën e sigurisë dhe të bashkërendimit për ruajtjen e të drejtave të shqiptarëve në rajon, e në veçanti në Luginën e Preshevës, patur parasysh diskriminimin me të cilin përballen shqiptarët.

    Në këtë drejtim, zëvendëskryeministri Bislimi përmendi masat që Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë për të përkrahur Luginën. Të dy u pajtuan që kontributi i përbashkët është i rëndësishëm, e për sa më shumë vëllim e peshë të përkrahjes sonë për shqiptarët atje.

    Qëndrojmë me dëshirë të mirë e energji të plotë, për ta rritur bashkëpunimin e afruar shtetet tona sa më afër me njëri tjetrin. U diskutua dhe mbi rëndësinë e mbështetjes së Shqipërisë ndaj Kosovës edhe në sfera të ndryshme, veçanërisht anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, ku ministri shprehu gatishmërinë e tij për të përkrahur Kosovën në këtë drejtim.

    Duke e falënderuar për bisedën e takimin vëllazëror, zëvendëskryeministri Bislimi shprehu gatishmërinë për takime të ardhshme, sinergji, bashkëpunim e ndërveprim më të ngushtë mes Kosovës dhe Shqipërisë.

    Prezent në takim ishin dhe ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi, dhe ai i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!