Një afarist kosovar po thotë se përkundër krizës së shkaktuar nga pandemia, bankat në Kosovë vetëm u kanë shtyrë afatin për kryerje të pagesave, por duke ua llogaritur kamatë shtesë edhe këta muaj që bizneset janë detyruar të qëndrojnë të mbyllura.
Sipas Shkumbin Gashit, që ka në pronësi një lokal në Rahovec, humbjet e biznesit të tij, sikurse edhe të tjerëve, janë të papërballueshme, shkruan Reporteri.net.
Por, ndryshe nga ta po flet Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti.
Mehmeti në “Debat Plus” ka thënë se ka pasur 67 mijë kërkesa për shtyrje të pagesës së kësteve nga ana e bizneseve e që janë aprovuar 99% e tyre.
“Ndërsa 86 % e kërkesave që kanë bërë personat fizik për shtyrje të kredive janë aprovuar”.
Mehmeti thotë se nuk do të ketë provizione shtesë pos interesit që e ka pasur më parë klienti i bankave.
Ai thotë se megjithatë interesi i rregullt i kredive nuk do të falet pasi një gjë e tillë nuk është bërë as në shumë vende tjera si Shqipëri, Çeki, Rumani, Ukrainë, Serbi etj./Reporteri