×
  • Lajme
  • Lajme / Protestë

    Bizneset nesër do t’i mbyllin hyrjet kryesore të Prishtinës

    Reporteri
    28 Maj 2025 | 13:41

    ZRRE-ja e qeveria pranuan që çmimi i energjisë elektrike të rritet për 16.1%. Kjo më së shumti pritet t’i godas bizneset. Atyre po u thuhet të dalin në ‘treg të lirë’, ku shpenzimet për ta pritet të jenë të mëdha.

    Nesër hyrjet kryesore të Prishtinës do të mbyllen për dy orë nga bizneset, në shenjë proteste ndaj liberalizmit të tregut të energjisë elektrike, që pritet të hyjë në fuqi më 1 qershor.

    Në një kërkesë për bizneset, Oda Ekonomike e Kosovës ka njoftuar se për dy orë do të ketë protestë paqësore, teksa ka paralajmëruar se ato do të vazhdojnë deri në plotësim të kërkesave të bizneseve që të shtyhet dalja në treg të lirë dhe që të niset dialogu për të gjetur zgjidhje të pranueshme që tranzicioni të ndikojë sa më pak në sektorin privat.

    ‘Rrugët do të bllokohen nga automjetet e kompanive që do të preken nga vendimi për dalje në treg të lirë.’ – thuhet ndër të tjera aty.

    Njoftimi:

    Nga ora 10:00 deri në orën 12:00 do të bllokohen këto hyrje të Prishtinës.

    Lokacionet e bllokimit:

    Hyrja nga Veterniku – Hyrja nga Gjilani – do të bllokohet hyrja nga Albi Mall e poshtë Veternikut – Kështu bllokohen të gjitha hyrjet (Ferizaj, Gjilan, Aeroport)

    Hyrja nga Fushë-Kosova – Hyrja nga Mitrovica – do të bllokohet hyrja prej rrethit të Madh te Lakrishtja (Dukagjini toëer) – Kështu bllokohen të gjitha hyrjet nga Mitrovica dhe Fushë-Kosova

    Hyrja nga Podujeva – Hyrja në lagjen e Vranjevcit – te ish-Humanisti – Udhëkryqi te banka Raiffeisen – bllokohen hyrje-daljet nga Podujeva, por edhe lëvizjet nga Dragodani në drejtim të Shkabaj/Orlloviq.

    Rrugët do të bllokohen nga automjetet e kompanive që do të preken nga vendimi për dalje në treg të lirë.

    Nëse kërkesat nuk plotësohen, Oda Ekonomike ka paralajmëruar protesta me kohëzgjatje deri në 4 orë dhe bllokim të plotë të hyrjeve në Prishtinë.

    “Në mungesë të reagimit institucional: protesta do të vazhdojë çdo ditë, gjatë gjithë ditës, deri në reflektim dhe veprim konkret nga institucionet përgjegjëse”, thuhet në njoftim.

    Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk ka sqaruar se si do të ndikojë në tarifat e energjisë dalja në treg të hapur e konsumatorëve me mbi 10 milionë euro qarkullim ose me mbi 50 punëtorë. Por sipas Odës Ekonomike, në treg të lirë janë ofertat me çmime prej 200 për qind më të larta.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!