×
  • Lajme
  • Lajme

    Blerim Latifi: Unë s’jam në PDK

    Reporteri
    19 Dhjetor 2019 | 17:50
    Blerim Latifi, filozof

    Filozofi Blerim Latifi, i cili ishte këshilltar i Kadri Veslit gjatë mandatit të tij si kryeparlamentar, e njëkohësisht edhe kandidat për deputet në zgjedhjet e fundit nga radhët e PDK-së, ka thënë se ai nuk është më pjesë e kësaj partie.


    Latifi ka sqaruar se me përfundimin e mandatit të Kadri Veselit si kryeparlamentar, ka përfunduar edhe mandati i tij si këshilltar politik, andaj ai ka thënë se qëndrimet e tij publike assesi nuk reflektojnë pikëpamjet e PDK-së, shkruan Reporteri.net.

    “Mandati i Kadri Veselit si kryetar i Kuvendit të Kosovës ka përfunduar. Rrjedhimisht, edhe emërimi im si këshilltar politik i tij. Unë nuk jam pjesë e asnjë forumi në PDK, as anëtar kryesie, as anëtar i Këshillit Drejtues, as anëtar i ndonjë dege apo nëndege. Rrjedhimisht qëndrimet e mia publike nuk reflektojnë pikëpamjet e PDK-së, në asnjë formë. Prandaj, cilësimi i qëndrimeve të mia si qëndrime të PDK-së është krejtësisht i pasaktë. Është dezinformim”, ka shkruar Latifi.

    Ai ka thënë se vazhdon të ketë konsideratë të lartë për kreun e PDK-së, Kadri Veseli me të cilin do të vazhdojë të ketë marrëdhënie miqësore.

    “Personalisht vazhdoj të kem konsideratë të lartë për kryetarin e PDK-së dhe këshillat e mia për të mbesin vetëm në nivelin e raportit miqësor dhe joformal. Unë ndihem mirë dhe krenar me bashkëpunimin pesë vjeçar me të. Kjo është e tëra!”, është shprehur Latifi.

    Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme është mbajtur mbledhja e fundit e Kryesisë së legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës, ku rrjedhimisht ka përfunduar edhe mandati i Kadri Veselit si kryeparlamentar. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!